Mazrekaj: Për të ardhmen vendos unë

Në faqen zyrtare të FC Prishtinës ende qëndron lajmi se Mentor Mazrekaj është kthyer nga Partizani i Tiranës te Prishtina. Megjithatë dy ditë pas atij zyrtarizimi nuk ka asnjë shenjë të këtij transferimi. FC Prishtina ka filluar fazën e parë përgatitore në Obiliq, kurse Mazrekaj është me pushime në plazhet e Dhërmisë. Mazrekaj ka folur eksluzivisht për “Sport News”, duke treguar se nuk ka ende asgjë të re sa i përket skuadrës së tij të re, por ka bërë të ditur se do të jetë vetëm ai që do të vendos se ku do të luajë në edicionin e ri. Edhe pse ende nuk ka vendosur për skuadrën e tij të re, me rëndësi është se ofertat nuk po i mungojnë fantazistit të lindur në Prishtinë, i cili këto vitet e fundit ka qenë pjesë e Partizanit të Tiranës.
Mazrekaj ka bërë të ditur se, dëshira e tij do të ishte që të jetë afër familjes së tij dhe kjo në njëfarë mënyre i bie që mund të kthehet në Kosovë, por pa specifikuar asnjë emër. Burime të “Sport News” megjithatë kanë kuptuar se, Mazrekaj ka pasur një takim me zyrtarët e Prishtinës, por pa arritur ende marrëveshje. Menqa e ka konfirmuar për “Sport News” se, në Kosovë ka biseduar vetëm me bardhekaltërit, por ka bërë të ditur se ka oferta thuajse nga shumica e skuadrave në Shqipëri, por edhe nga disa skuadra në Maqedoni. Fantazisti nga Prishtina mund të kthehet te skuadra te e cila bëri emër, por ndonjë ofertë e mirë do të mund t’ia ndryshonte mendjen. Mazrekaj në fund ka bërë të ditur për “Sport News” se skuadra e tij do të bëhet zyrtare të hëhën kur pritet të kthehet nga pushimet.