Marco Verratti kalon nën menaxhimin e Mino Raiola

Marco Varratti i bashkohet bordit të Mino Raiola. Mesfushori i PSG ka shkëputur bashkëpunimin me menaxharin e tij, pas polemikave të krijuara mes tij dhe klubit parizien, për një kalim të mundshëm te Barcelona. Italiani përmes një postimi në Instagram ka falenderuar Donato Di Campli për punën që ai ka zhvilluar ndër vite me 24-vjeçarin dhe njofton se tashmë i vetmi person që mund të flasë për interesat e tij sportive është Mino Raiola. Qershorin e kaluar Di Campli akuzoi drejtuesit e PSG se po e mbanin të burgosur klientin e tij, fjalë këto që u përgënjeshtruan nga ana e Verrattit, ndërkohë pas dere qëndronte Barcelona, duke e ndjekur me kujdes situatën nga afër.
Te PSG pas këtij lajmi mund të lindi një frikë nëse do t’ia dalin dot ta mbajnë mesfushorin edhe për një tjetër sezon. Sepse dihet që Mino Raiola është nga ata menaxher, i cili marrëveshjet e rëndësishme i çon deri në fund. Ndoshta dhe një bashkëpunim i tillë mes dy personave mund të ketë ardhur pikërisht për këtë arsye, për ta transferuar mesfushorin te Barcelona. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, por për momentin Marco Verratti është futbollisti i radhës që i bashkohet bordit të menaxherit të famshëm, Mino Raiola.
E përditshmja sportive franceze, “L’Equipe” ka publikuar një lajm tronditës për skuadrën e Barcelonës. “L’Equipe” shkruan se, Verratti është në negociata me Paris Saint Germain për vazhdimin e kontratës. Së fundi, Verratti ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me menaxherin, Donato di Campli, derisa menaxher të ri e ka emëruar të famshmin, Mino Raiola. Verratti, i cili më parë dëshironte transferimin te Barcelona, ka kontratë me klubin nga Parisi deri në vitin 2021.