Mallkimi i Premier

Zakonisht bisedat mbi futbollin me anglezët përqendrohen te fjalia e tyre klishe: “Futbollin e shpikëm ne”. Ndoshta kanë të drejtë se kanë shpikur një nga lojërat më të bukura në botë, por dy dekadat e fundit, ata nuk janë zotë në shtëpinë e tyre për sa u përket trajnerëve. Me mbi një shekull histori, kampionati anglez ka shumë shenja triumfi të strategëve anglezë, por vitet e fundit ata po hasin vështirësi të shpallen kampionë.
Sipas britanikëve të “The Sun”, në 25 vitet e fundit nuk ka asnjë trajner anglez që të ketë shpallur skuadrën e tij kampione të Premier Ligës. I fundit në listën e ishullorëve kampionë është Hauard Uilkinson, i cili në vitin 1992 shpallte Lidsin e tij kampion të Anglisë. Për këtë mallkim, “fajet” bien mbi Aleks Fergusonin, i cili me triumfet e tij në krye të “Djajve të Kuq” vendosi gati një diktaturë futbollistike mbi kampionatin e Mbretëreshës Elizabetë, aq sa kjo e fundit e emëroi “Sër” pas gjithë atyre sukseseve të panumërta.
Bashkëfajtorë me skocezin e Mançester Junajtid janë edhe disa italianë. Karlo Ançeloti dhe Konte, në kampionatin e fundit me Çelsin, kanë rrëmbyer nga një trofe secili, pa harruar dhe mrekullinë e vitit të kaluar nga Klaudio Ranieri, i cili shpalli kampion të pamendueshmin Leiçester.
Hoze Murinjo dhe francezi Arsen Venger kanë rrëmbyer nga tri herë trofeun e kampionit të Anglisë. Një tjetër skocez është Keni Dalglish, që me Blekburnin e tij bëri një mrekulli më vete. Ishte pikërisht ky i fundit që i dha fillesë ciklit të mallkimit për trajnerët anglezë, të cilët kanë harruar të shpallen kampionë në vendin e tyre.
Pasi pagoi 56 milionë euro, për afrimin e mbrojtësit të Tottenham, Kyle Walker, i cilësuar si çmimi më i lartë i paguar për një mbrojtës, Manchester City duket i gatshëm të thyejë këtë rekord. Pep Guardiola dëshiron me çdo kusht të ketë nën urdhrat e tij mbrojtësin francez të Monakos, Benjamin Mendy dhe dy klubet janë duke finalizuar marrëveshjen e transferimit të tij në Manchester, për shifrën e 58 milionë eurove.
Mbrojtësi 23-vjeçar zhvilloi një sezon si protagonist te Monako dhe u bë objekt dëshirash për shumë klube, por City tashmë ka arritur akordin me klubin francez dhe po negocion me vetë futbollistin.
Por, krahas Walker dhe Mendy, Manchester City po punon për afrimin e një tjetër mbrojtësi anësor. Bëhet fjalë për brazilianin e Real Madridit, Danilo. Mediat spanjolle raportojnë se është arritur akordi total mes klubeve dhe futbollistit, i cili do të nënshkruajë për 5 vite me City-n, ndërsa Reali do të arkëtojë 30 milionë euro plus 5 të tjera bonus.