Lokali i djegur nga energjia faturohet tre muaj dhe pse nuk kishte drita

Florinte Marashi, banore në komunën e Fushë Kuqes në Laç denoncoi në emisionin “Boom” faturimin e padrejtë nga OSHEE për tre muaj. Historia e saj nis në 23 janar të 2014, kur lokali që ka në këtë zonë i digjet. Ekspertiza nxori se djegia erdhi si rezultat i luhatjes së tensionit, ku edhe sot vijon procesin e gjyqit me OSHEE.
Nga e gjithë katrahura shpëtoi vetëm matësi i energjisë. Por edhe pse u ndërpre energjia në janar, zonjës i ka shkuar fatura e energjisë për tre muaj, konkretisht mars, prill dhe qershor. Me ndërhyrjen e “Boom” u bë mundësimi i rikthimit të energjisë elektrike në lokalin e zonjës, po ashtu u depozitua dhe ankesa në zyrën qendrore të OSHEE Tiranë lidhur me faturimin e tre muajve.
“Më 23 janar 2014 më është djegur lokali. Rezultoi se lokali është djegur për arsye të energjisë elektrike, nga luhatjet. Sahati për fat nuk është djegur, ka ardhur përgjegjësi i zonës, Jah Toplana, e ka verifikuar dhe kur erdhi me bë faturimin e muajit, e pa lokalin, shkruajtën kilovatët e janarit 19 mijë lekë, sepse unë këtu kam vetëm frigoriferin dhe muzikën, sepse të tjerat i kam me gaz. Në janar e pagova, në shkurt erdhi fatura 3400 lekë. Me të thënë të drejtën vazhdova me gjyqin dhe nuk u interesova më për atë punë, për 3400 lekët se do i paguaja përnjëherë se nuk ishte ndonjë shumë e madhe. Kur më erdhën pas 6 muajsh ekspertët, del lokali pa drita. Dalin tre fatura pa paguar. Kishin futur në mars faturë 9.542 lekë, në prill 1.856 lekë dhe në qershor 36.700 lekë”, tregon Marashi.