Liroi nga burgu “zotin e drogës”, hetim për gjyqtarin Petraq Curri

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka urdhëruar hetim disiplinor për gjyqtarin Petraq Curri, i cili dha vendimin e lirimit të Alket Hatijas i dënuar me 20 vite burg për trafik droge në Itali. Një grup inspektorësh kanë shkuar në Gjykatën e Durrësit ku pritet të kalojnë në sitë vendimin për lirimin.  Alket Hatija i cilësuar si “zoti i drogës” nga mediat italiane, u arrestua më 10 korrik në Durrës pasi  rezulton i kërkuar nga drejtësia italiane.
Gjykata e Milanos në vitin 2015 e dënoi Hatijan me 20 vite burg si një nga drejtuesit e një organizate që trafikonte kokainë dhe heroinë. Po Gjykata e Durrësit e liroi me argumentin se 43- vjeçari i ka vuajtur njëherë dënimin për trafikimin e drogës dhe nuk mund të mbahet në qeli për të njëjtin fakt penal. Në vendimin për lirimin e Hatiajt, gjykatësi Petraq Curri arsyetoi se ai e kishte kryer dënimin në Shqipëri.
Hatija është arrestuar në 2008 në Shqipëri dhe u dënuan me 10 vite e 8 muaj burg. Pas uljeve të dënimit dhe përfitimit nga amnisti të ndryshme në 2014 ai lë qelinë. Por Gjykata e Durrësit e liroi me argumentin se 43-vjeçari e kishte vuajtur këtë dënim dhe nuk mund të mbahet në burg për të njëjtin fakt penal.
Prokuroria ka ankimuar vendimin e lirimin në Gjykatën e Apelit të Durrësit, e cila pritet ta shqyrtojë kërkesën në ditët në vijim. Nisja e hetimit u kërkua nga ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi.