Kukësi tani është në “ajër”

Të gjithë ishin të fokusuar maksimalisht te kualifikimi i turit të dytë paraeliminator të Ligës së Kampionëve, por tani verilindorët duhet të rinisin punën për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes. Shumë lojtarëve, përfshirë edhe trajnerin Ernest Gjoka u përfundojnë kontratat pas impenjimit në Kupat e Europës dhe tani do të ketë takime dhe bisedime intensive mes palëve për të diskutuar nëse do të qëndrojnë te Kukësi apo do të largohen nga ekipi kampion i Shqipërisë.
Në listën e atyre që u përfundojnë kontratat janë Ernest Gjoka, Izair Emini, Enea Koliçi, Ylli Shameti, Nijaz Lena dhe Pero Pejiç. Nuk dihet ende se cili prej tyre do të qëndrojë, apo kush do të largohet. Pas takimeve që do të kenë me drejtuesit dhe me presidentin Gjici do të vendosin bashkërisht për vazhdimin e rrugëtimit, apo ndërprerjen e marrëdhënieve mes tyre.