Korrupsioni në universitete, 70% e studentëve: Është i pranishëm në fakultete

90% e studentëve shqiptarë mendojnë se korrupsioni në universitetet publike është mbi nivelin mesatar, ndërsa 70% e tyre thonë se ky fenomen është i pranishëm në programin e tyre të studimit. Ky është një prej përfundimeve të arritura gjatë një anketimi të kryer nga organizata “Qëndresa Qytetare” me 248 studentë, të cilët aktualisht ndjekin studimet në të gjitha nivelet e arsimit të lartë. Sa i përket formave të shfaqjes së korrupsionit, forma më e përhapur është ajo e pagesës në këmbim të notës, e ndjekur nga detyrimi për blerjen e librave.
Po ashtu, pas përpunimit të të dhënave rezultoi se pothuajse 90% e të anketuarve kanë dëgjuar personalisht raste të korrupsionit dhe 25% e tyre raportojnë se kanë qenë vetë të prekur nga ky fenomen në fakultetin e tyre. Por sipas raportit, problem mbetet niveli i denoncimit të rasteve, i cili është mjaft i ulët, në vetëm 10%. Por, edhe në këtë rast, vlerëson raporti, në 40 % të rasteve ka munguar ndëshkueshmëria nga organet kompetente. Nisur nga kjo situatë, organizata rekomandon forcimin e masave ligjore dhe institucionale të universiteteve publike, ndërkohë që përgjegjësia duhet të jetë e dyfishtë: si e organeve akademike edhe atyre administrative të formuara bazuar në ligjin e ri të arsimit të lartë në Shqipëri.
Gjithashtu, nevojiten fushata ndërgjegjësuese nga ana e autoriteteve publike sidomos policore dhe media në lidhje me praktikat e denoncimit të korrupsionit, si dhe ashpërsim i masave ndëshkuese për pedagogët e korruptuar. Sipas raportit, mungesa e organizimit të mekanizmave studentore është një nga shkaqet kryesore të mosaktivizimit të studentëve kundër fenomenit të korrupsionit. Për pasojë, nevojitet zhvillimi i zgjedhjeve dhe riorganizimi i Këshillave Studentore në universitetet publike të pajisur me organizma shtesë për evidentimin e këtij fenomeni në fakultete. Gjithashtu, është e domosdoshme që Ministria e Arsimit dhe Sportit të ushtrojë kontrolle periodike nëpërmjet anketimeve vlerësuese të nivelit të korrupsionit dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me zyrat e administratës në universitete.
Sipas ekspertëve, ekzistenca e korrupsionit në arsimin e lartë ndikon në mënyrë negative jo vetëm konkurrencën e drejtë ndërmjet studentëve, por ka impakt tejet negativ edhe në tregun e punës dhe krijimin e një shoqërie të padrejtë e favorizuese.