Kompania denoncon vjedhjen me video, policia nuk ndërhyn

Një kompani biznesi në Tiranë ka denoncuar në Komisariatin Nr.3 në kryeqytet një vjedhje që i është bërë duke paraqitur edhe videon e vjedhjes, por policia nuk ka ndërhyrë. Konkretisht në datën 7 qershor pranë këtij Komisariati, kjo kompani që ndodhet shumë pranë godinës së ZQRPP-së në Tiranë, ka denoncuar vjedhjen e një sasie kablli elektrik rreth 250 ml, që ndodhej në një ambient të përshtatur si magazinë në parkimin nëntokësor të një pallati.
Lidhur me këtë ngjarje, administratori i kompanisë depozitoi pranë Komisariatit Nr.3 edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë, ku dalloheshin qartë fytyrat e hajdutëve.
Referuar provave të siguruara, mësohet se policia arriti fillimisht të identifikonte autorët e vjedhjes (në foto), respektivisht shtetasit Shkëlqim Qerimi (i ndaluar tashmë) dhe Qemal Mustafa (i shpallur në kërkim). Ndërkohë që materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim” dhe “përvetësim i parave ose mallrave”.
Por vetëm kaq. Një muaj pas denoncimit të ngjarjes dhe duke u mjaftuar vetëm me identifikimin e autorëve, policia nuk ka bërë asnjë lëvizje tjetër, jo vetëm sa i përket mosndalimit të një prej dy hajdutëve të shpallur në kërkim, por edhe sa i përket faktit se ç’ka ndodhur dhe ku përfunduan 250 ml kabll elektrik i vjedhur.
Interesimit të përditshëm të kompanisë së biznesit pranë Komisariatit Nr.3 në Tiranë nuk po i jepet përgjigje prej një muaji edhe pse provat e depozituara janë të mjaftueshme për organet ligjzbatuese. “A është kjo policia që duam?”, është pyetja retorike që bën kompania e biznesit gjatë denoncimit të këtij skandali.