Katër HEC-e të reja nga 2 MW, mes tyre edhe një kompani fason

Katër aplikime të reja janë dorëzuar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për ndërtimin e hidrocentraleve të reja. Bëhet fjalë për HEC-e nën 2 MW dhe që nuk konsiderohen si koncesione tipike çka shkurton burokracinë që ndiqet në dhënien ose jo të miratimit. Sipas dokumenteve zyrtare nga ana e ministrisë bëhet me dije se kompania e parë që ka shfaqur interes është “Doma Group” sh.p.k. Kjo e fundit ka kërkuar miratimin e ndërtimit të hidrocentralit “Vinjolli 1”, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Varoshit, Manasdrese dhe Lajthit, pranë fshatit Vinjolli, Bashkia Mat, Qarku Dibër. “Doma Group” sh.p.k., është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar që ka në objekt të aktivitetit: shitblerje, import-eksport, përpunim, transportim dhe magazinim të mineraleve të ndryshme metalore dhe jometalore, si dhe një seri alternativash të tjera. Aplikuesi i dytë është “Eltex” sh.p.k. që synon të ndërtojë hidrocentralin “Olben”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Holtës, degë e lumit Devoll, Bashkia Gramsh, Qarku Elbasan. Shoqëria operon në sektorin e fasonëve,  por ka në objekt edhe industri tekstile, rrobaqepësi, import-eksport. Një aplikim tjetër për dy hidrocentrale është bërë nga “Rajfi” sh.p.k., që ka kërkuar miratimin e ndërtimit të hidrocentraleve “Gjorica” dhe “Çereneci”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në lumin e Zallit të Bulqizës, pranë fshatrave Gjoricë e Poshtme dhe Gjoricë e Epërme, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër. “Rajfi” sh.p.k është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me objekt të aktivitetit: Në fushën e investimit, projektimit dhe ndërtimit të objekteve të ndryshme publike dhe private, transportim, magazinim, përpunim dhe tregtim me shumicë e pakicë dhe import-eksport të mallrave të ndryshëm ushqimorë blegtoralë, por jo vetëm. Gjatë vitit 2017 ka një vërshim të aplikimeve dhe miratimeve për hidrocentrale me kapacitet të instaluar nën 2 MW. E ndërsa vite më parë fokusi ka qenë tek hidrocentralet me kapacitet të lartë duket se “shterimi” i opsioneve të kësaj natyre ka zhvendosur vëmendjen tek përrenjtë. Ajo që ngre pikëpyetje është ndikimi që mund të ketë kjo politikë tek flora dhe fauna në këto zona.