Ju flet Doktori!

Edison YPI

Me mushkëri të oksigjenuara me ajër bjeshke, ëndërra të bukura në mendje e zjarr në shpirt, zbrita në Tiranë pakashumë si heronjtë e Balzakut dhe Mopasanit kanë zbritur në Paris. Isha i atillë që po të kisha ardhur nga Tropoja në Londër, Londra do më kishte bërë plotësisht si vetja. Por erdha në Tiranë, dhe ishte Tirana më bëri deridiku si vetja. Pa u mburrur, pa i rënë askujt më qafë, pa i hyrë askujt në hise, mbarova studimet, u bëra Doktor, bëra një farë karriere. Tirana më rrinte ngushtë si triko leshi dhe më shkaktonte krruajtje.
Tirana pordhë e piskamë nuk më pranonte siç isha. Ngushtica, krruajtja, pordha, piskama, zgjatën derisa me Tiranën u detyrova të bashkëjetoj në një simbiozë të sikletshme. Punova. Mësova. Lexova. Më së shumti Letërsi serioze, autorë klasikë, poezi, jetët e monarkëve. Ndërkohë konstatova diçka drithëruese; Unë provinciali i fuqishëm, unë katundari i papërtuar, unë maloku kryelartë, isha pakrahasimisht superior në çdo pikëpamje ndaj gjithë të tjerëve. Mezi çprisja tja ndizja turbinat hidrocentralit që më gumëzhinte nga brenda.
Rasti erdhi. Çaushesku dhe Elena që i vranë si qen dhe i flakën mbi një beton, vërshimi nëpër ambasada dhe anije, revoltat e studentave, ishin rrethanat e shumpritura. Kontributet e mia të para në media që çuditën të madh e të vogël, zgjedhja në krye të Partisë Demokratike, dhe hollësi të tjera, ishin prova se isha më i fuqishmi, më energjiku, më karizmatiku kalë që mund ta tërhiqte atë karrocë.
Të tjerët ishin ca arrivistë nervozë dhe llafazanë me takat shumë më të ulët se ambicjet. Ishte e natyrshme dhe e kuptueshme që me kalimin e kohës pas dehjes që u shkaktoi pirja me opingë e rakisë së Lirisë, duke u bërë pakngapak esëll, shqiptarët të nisnin të hidhnin ickla dhe rrjedhimisht të pakësonin mbështetjen numerike për Partinë Demokratike. I ndodhur ngushtë për shkak të pamjaftueshmërisë numerike, për ta ruajtur popullaritetin dhe për të kryer punët, angazhova shumë spiuna. Për vite të tëra Partia Demokratike ka qënë plot me spiuna.
Ishte e madhe çudia e shqiptarëve të papërlyer simpatizues të Partisë Demokratike para tablosë paradoksale se si ka mundësi që të persekutuarve në liri u duhej të mbroheshin nga sulmet e spiunave që donin ta transferonin ligësinë mbi shpinën e viktimave. S’kisha nga tja mbaja. E bëra nga halli. Spiunat ishin kryeulur të bindur, sidomos të shumtë. Të papërlyerit ishin pretendues kryelartë, dhe të pakët.
Aq e vërtetë është kjo që po them për spiunat e shumtë që mu desh të angazhoj, saqë, për shembull, sot e kësaj dite askush nuk i afrohet dot Zërit të Amerikës apo mediave të tjera të huaja po të mos ketë pasur lidhje me Sigurimin. E di se për këtë mëkat në botën tjetër do më duhet të vuaj disa vite ferr dhe kushedi se sa fuçia zifti të nxehtë në kurriz. I kam hak. S’kam çbëj. Do ti duroj. Në ato vite nisi dhe e ashtuquajtura media pluraliste. E pata nisur mrekullisht. Veç kur erdhi nga Lezha një këllirë komuniste që shkatërroi gjithçka që patëm thurur me durim. Lavirja lezhjane zëvendësoi pastërtinë me pisllëkun, të vërtetën me rrenën. Edhe asaj s’pata ç’i bëj.
E keqja historike e bashkëpunimit të shumicës së shqiptarëve me krimin, më pengoi. E ula edhe më stekën. Shqipëria dhe shqiptarët të etatizuar deri në qelizë, të çveshur nga çdo pronë, çdo moral, çdo vetdijë mbi iniciativën individuale, nuk mund të ndaheshin aq kollaj nga mentaliteti totalitarist.
U bashkuan në shumicë në anën e revolucionit bolshevik që rrëmbeu pushtetin. Pushteti ynë nuk ishte as shumë i mirë as shumë i keq. Bëmë sa mundëm në kushtet e mungesës së përvojës. Piramidat financiare nuk ua solla unë dhe as i gjeta midis jush. Për ato u kujdes syshkaba, gjarpëri Sigurimi. Pasi morën pushtetin me dhunë revolucionare, nuk bënë asgjë, thjesht vodhën. Shqiptarët duhet të më jenë falenderues mua Doktorit që me përpjekje mbinjerëzore tetë vjeçare, jo vetëm nuk e lashë Partinë Demokratike të vdiste, por e solla në pushtet.
Me po atë material njerëzor, me më pak spiuna të cilët mu desh ti mbaj për herë të dytë për të njëjtën arësye si herën e parë, ndërtova rrugë, autostrada, tunele. Por mungesa e iniciativës dhe dembellëku nuk mundësuan plotësimin e numurave për mbajtjen e pushtetit. Më 2013, me spiuna pa spiuna, ardhja e Partisë Demokratike në pushtet nuk qe e mundur.