Isa Sakja: Bashkia do rikthehet në shërbim të qytetarëve

Kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja u betua në prani përpara Këshillit Bashkiak duke marrë mandatin dyvjeçar, pas fitores në zgjedhjet e pjesshme lokale të 25 qershorit. “Nga sot në shërbim të qytetarit 24 orë unë dhe administrata që unë do të drejtoj!  Besimplotë se do ta bëjmë jetesën në Kavajë më të mirë, më të dashur për të gjithë qytetarët e saj fisnikë!”, ky ishte postimi i djeshëm i kryebashikakut të ri të Kavajës. Isa Sakja, i zgjedhur kryetar i Bashkisë së Kavajës më 25 qershor, ka marrë dje zyrtarisht detyrën. Ai garoi si kandidat i demokratëve në zgjedhjet e pjesshme. Pas këndimit të himnit kombëtar, ai ka mbajtur një fjalim të shkurtër para Bashkisë, ku ishin të pranishëm dhjetëra qytetarë. “Asnjë lloj ndasie politike, racore, fetare, nuk do të tolerohet në sjelljen ndaj qytetarit, sikur ka ndodhur deri më dje. Ashtu siç kam theksuar edhe në fushatë, administrata e Bashkisë do të jetë 24 orë në shërbimin tuaj e përulur ndaj çdo shqetësimi dhe halli të tij”, tha Sakja. Sakaq, ai shtoi, “unë jam besimplotë se me punë dhe nëpërmjet punës do të ndërtojmë një jetesë më të mirë për familjet kavajase, një qytet më të banueshëm, më të dashur për rininë dhe të moshuarit. Unë pres nga anëtarët e Këshillit Bashkiak që marrëdhënia jonë të jetë bashkëpunuese, në dobi të qytetit dhe qytetarit”.