Interi mohon zërat për Kovaçiç

Ditët e fundit në shtypin sportiv është përfolur për një interesim të Interit për mesfushorin e Real Madrid, Mateo Kovaçiç, me zikaltërit që synojnë të rikthejnë sërish në Milano lojtarin kroat. Megjithatë diçka e tillë është përgënjeshtruar direkt nga drejtori Sportiv i Interit, Piero Ausilio, i cili ka sqaruar se mes palëve nuk ka asnjë tratativë për Kovaçiç.
Juventus ka hedhur sytë nga Sergej Milinkoviç-Saviç. Klubi bardhezi është i gatshëm t’i ofrojë 35 milionë euro plus bonuse Lazios për mesfushorin serb, ndërsa vetë lojtarit një pagë prej 3 milionësh në sezon. Gjithsesi “Calciomercato.com”, shkruan se presidenti i bardhekaltërve, Claudio Lotito nuk dëshiron ta shesë 22-vjeçarin, të cilin e konsideron pjesë të rëndësishme të grupit.
Torino kërkon të bëjë “pazar” te Genoa. Klubi synon të përforcojë më shumë skuadrën dhe ka vendosur në “radarë” dy nga lojtarët e ekipit nga Liguria. Bëhet fjalë për Giovanni Simeone dhe Diego Laxalt, për të cilët Torino ka përpiluar një ofertë prej 21 milionë eurosh. Deri tani përgjigjja e Genoas është negative, me klubin që kërkon të mbajë sulmuesin argjentinas dhe mesfushorin uruguaian.
Nis aventura e Gregoire Defrel te skuadra e Romës. Sulmuesi francez flet për herë të parë në mediat italiane si lojtar i verdhekuqve. 26-vjeçari pranon se është gati për aventurën e re dhe pret me padurim startin e punës me klubin italian. Defrel shton se dëshiron të paraqitet sa më mirë me Romën dhe të ndihmojë sa më shumë ekipin.