Gjana: Të shtunën, të gjithë anëtarët e PD të dalin të votojnë

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana i bën thirrje anëtarësisë së PD të dalë në votime ditën e shtunë për të zgjedhur kreun e ri të Partisë Demokratike. Çdo degë do të ketë një qendër votimi. Ambientet ku do të kryhet votimi u miratuan nga ky komision, sipas propozimeve që erdhën nga degët, jo më vonë se 12 korriku. Në selinë qendrore do të ngrihet qendra e degës nr. 2, ku do të votojnë përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Deputetët e rinj kanë të drejtë të votojnë dhe në vendet ku ata janë me banim. Në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që e miraton kryesia e degës, kryetar do të jetë një nga n/kryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat. Gjana foli në një intervistë televizive për organizimin e këtij procesi në selinë blu. Lulzim Basha dhe Eduard Selami kandidojnë në zgjedhjet e 22 korrikut për kryetarin e ri të PD. Gjana tha se numërimi i kutive do të bëhet në selinë qendrore të PD, në Tiranë, ndërsa shtoi se mëngjesin e 23 korrikut PD do të ketë kryetarin e ri. “Votimi do të ketë të gjitha kriteret e votimit në Shqipëri për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale, me të njëjtat kritere si ato që parashikon Kodi Zgjedhor me kodet, si mbyllet kutia, me votat e pavlefshme, pra të gjitha. Anëtarët e PD janë të ftuar të gjithë që të vijnë dhe të votojnë. Procesi do të jetë korrekt, numërimi përpara mediave, pra i gjithë procesi do të jetë transparent. Numërimi do të bëhet në selinë qendrore të PD. Kjo s’është e përcaktuar në statut. E para është precedenti i 2013-ës, por atëherë kishim një seli të vogël dhe numërimi është bërë te Pallati i Kongreseve, sot selia ka hapësirë të konsiderueshme. Prandaj, mëngjesin e datës 23 do të kemi kryetarin e ri të PD. Do të numërohet gjithë natën”, u shpreh Jemin Gjana. Ai dha përgjigje për disa nga shqetësimet e Selamit dhe të kritikëve të Lulzim Bashës, lidhur me listën e anëtarësisë dhe votuesve më 22 korrik. “Sigurisht që jam njohur me shqetësimin e Selamit për listat. Listat janë transparente dhe janë të publikuara brenda strukturave të PD. Që në fillim, sapo kemi krijuar komisionin, lista iu është shpërndarë të 68 degëve të PD në gjithë vendin. Përfaqësuesi i z. Selami është në komision. Janë 103 mijë anëtarë të PD, kemi 607 anëtarë më pak, të cilët kanë kaluar te partitë e tjera. Janë 5200 seksione të PD, vetëm kryetarë dhe sekretarë të tyre bëjnë 10200 veta. Si mund të thuash që lista s’është bërë publike, që lista është sekrete?”, tha Gjana. Ish-nënkryetari i PD sulmoi ashpër kritikët e Bashës, Patozin dhe Topallin, kur tha se po mashtrojnë demokratët. “Z. Patozi, znj.Topalli etj., bëjnë një gabim të pafalshëm, mashtrojnë opinionin, mund të sulmojnë z. Basha, por jo arkivën e partisë. Janë 103 mijë njerëz anëtarë të PD që nga viti 1991. Prandaj, listat janë elektronikisht dhe është shpërndarë lista përfundimtare tek të gjitha degët e partisë. Unë kam një karrierë të gjatë në PD, deri nënkrytar i partisë, ndërsa këta që kritikojnë i janë bashkuar PD-së pas 1996-ës”, tha ai. Gjana shpjegoi edhe arsyen pse nuk mblidhet Këshilli Kombëtar. Sipas tij, ky forum i lartë vendimmarrës merr vendime, të cilat i paraqiten Kuvendit të partisë, por në këtë garë PD zgjedh kryetarin me parimin një anëtar një votë dhe jo përmes Kuvendit.