Franca merr në dorëzim kufijtë për emigrantët

Për të parën herë në historinë e NATO-s, një vend anëtar i saj detyrohet të dorëzojë kontrollin e kufijve tek një tjetër vend mik dhe anëtar i Aleancës për shkak të paaftësisë për t’i ruajtuar nga emigrimi masiv i një kombi të dëshpëruar. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur kjo që po ndodh sot kur “Timonieri” me blerje votash ka siguruar një mandat të dytë, i cili që në nisje të tij është i dështuar. Shqiptarë që ikin, një Kryeministër i papërgjegjshëm që nuk ndal dot kufijtë dhe një vend tjetër mik që vjen dhe bën detyrat për të cilat qytetarët shqiptarë paguajnë taksat që këto shërbime t’i bëjë qeveria e tyre.
Shqipëria rrezikon që brenda tre muajve t’i kthehen vizat, ndërsa mijërat e shqiptarëve vazhdojnë të largohen, duke mos pasur më asnjë shpresë në këtë vend.
Franca do të marrë në dorëzim kufijtë e Shqipërisë për të ndalur shqiptarët të emigrojnë atje. Oficerë të policisë franceze do të vendosen në Shqipëri për të kryer operacione të përbashkëta me policinë tonë kufitare, me qëllim reduktimin e kërkesave për azil. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme, pas takimit që ministri Ditmir Bushati ka zhvilluar në Paris me ministrin e Brendshëm francez, Zherar Kolomb.
Gjatë takimit të Bushatit me ministrin e Brendshëm francez, Shqipërisë i është dhënë ultimatum për të ndalur fluksin e azilkërkuesve drejt Francës. Kështu pra, mesazhi i thënë disa herë me mirësjellje nga diplomatët e Bashkimit Europian, erdhi në formën e një ultimatumi nga ministri i Brendshëm francez, Zherar Kolomb.
Ndryshe nga rastet e tjera, kur takonte homologun e tij francez, ditën e enjte Ditmir Bushati pati punë me ministrin e Brendshëm, të cilit i paraqiti me një plan konkret veprimi, që nuk është publikuar në mediat shqiptare, por që synon rritjen e kontrolleve në kufi.
Madje Shqipëria ka pranuar edhe stacionimin e policëve francezë në kufirin shqiptar, që do të punojnë për filtrimin e shqiptarëve që udhëtojnë jashtë. Qëllimi është ulja e fluksit të shqiptarëve që mund të kërkojnë azil në Francë.
Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që një shtet i huaj të marrë në dorëzim kufijtë e një shteti sovran. Nuk ka ndodhur as në vendet e Afrikës, por kjo po ndodh në Shqipëri. Humbja e shpresës nga qeveria e Ramës për shkak të varfërisë ekstreme dhe papunësisë në rritje i ka detyruar shqiptarët që të marrin rrugët e emigrimit.
Para pak ditësh “Le Figaro” i kushtonte një reportazh për emigrantët shqiptarë që kërkojnë azil në Francë. “Le Figaro” shkruante se, aktualisht shqiptarët mbajnë vendin e parë në podiumin e trishtë të kërkesave për azil në Francë. Në vitin 2016, Shqipëria figuroi në vendin e parë të kërkesave për azil në Francë me 8 mijë dosje, duke ua kaluar edhe sirianëve, irakenëve apo afganëve që ikin nga vende në luftë.
Fluksi i azilkërkuesve shpërtheu në vitin 2015 dhe vazhdoi edhe në vitin 2016. Krahasimi me një eksod të dytë u bë kur shqiptarët emigruan krahas sirianëve, afganëve dhe irakenëve me mbi 100 mijë kërkesa për azil në dy vjet.
Në fillim të këtij viti, faqja e ambasadës amerikane në internet nuk e përballoi dot fluksin e klikimeve. Vitin e kaluar kishin aplikuar mbi 200 mijë veta. Sondazhi i publikuar nga Gallup një muaj më parë tregonte se, gjysma e shqiptarëve duan të jetojnë jashtë. Vendi ynë renditet i treti, pas Sierra Leones dhe Haitit, për nga dëshira e qytetarëve për të ikur larg atdheut të tyre.

3 muaj afat Ramës

Franca e ka humbur durimin me qeverinë e Ramës për emigrantët. Ministri i Brendshëm francez, Zherar Kolomb gjatë fjalës së tij artikuloi disa herë afatin prej 3 muajsh që i është lënë qeverisë shqiptare. “Pas 3 muajsh, premtova se do të vij vetë në Tiranë për të parë masat që janë marrë. Është thelbësore të kemi rezultate konkrete dhe një ulje të emigrimit të paligjshëm të shqiptarëve në territorin tonë”, tha Zherar Kolomb.
Në tetor, Zherar Kolomb ka bërë të ditur se do të vizitojë Tiranën për të verifikuar premtimet e Ramës. “Jemi të ndërgjegjshëm për liritë dhe detyrat që ofron lëvizja e lirë në hapësirën Schengen dhe shumë të vendosur për të mos toleruar kërkesat abuzive për azil”, ishin fjalët e Bushatit në përfundim të takimit.
Plani i veprimit, i përgatitur nga qeveria shqiptare është dëshmi se, Rama e ka pranuar se origjina e problemit është Shqipëria. Ndryshe nga sa thotë në mediat shqiptare, ku jep versionin se shqiptarët që udhëtojnë drejt BE-së për azil, janë ose të gënjyer nga lajmet e rreme ose janë emigrantë që kanë jetuar më parë në Greqi, Rama ka pranuar para autoriteteve franceze se emigrantët shqiptarë po vërshojnë drejt Perëndimit.
Me pranimin e oficerëve francezë për rritjen e kontrolleve në kufi, Rama pranon dështimin përballë një sfide më të madhe, t’i bindë shqiptarët se një jetë më e mirë mund të ndërtohet në Shqipëri. Shifrat tregojnë se, Rama ka dështuar, të ngjallë besimin tek shqiptarët se “ky vend do të bëhet”.

R.POLISI