“Finantial Times”: Në Shqipëri baronët e drogës lihen të lirë

Gazeta e njohur, “Financial Times” ka publikuar një reportazh të Kerin Hope për situatën e kanabisit në Shqipëri. Gazeta ka intervistuar një prej kultivuesve të kanabisit, një 30-vjeçar nga Lushnja. Elezi thotë se nuk po fiton gjë nga mbjellja e hashashit, aq më tepër tani ka frikë se mos arrestohet. Elezi shton se pret të fitojë vetëm 250 deri në 300 euro nga plantacioni i tij i vogël, i vendosur në pyll për të shmangur pikasjen nga helikopteri i policisë. Kjo është shumë më pak nga 3 mijë euro që fitonte nga një bimë një vit më parë, pasi paguante 10 për qind të “taksës” për zyrtarët vendorë, që mbyllnin një sy.
Mijëra prodhues të vegjël si Elezi e kanë kthyer Shqipërinë, vendin e dytë më të varfër në Europë, në prodhuesin më të madh të kanabisit në ajër të hapur. Në shkrim thuhet se kanabisi eksportohet kryesisht në Europë përmes Greqisë dhe Italisë. Por në pritje të hapjes së negociatave me BE-në, Shqipëria ka nisur pastrimin e kanabisit. Vetëm gjatë vitit të shkuar, sipërfaqja e mbjellë ka rënë me 75 për qind. Edi Rama thotë për gazetën se pret që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së në fillim të viteve 2020.
Por përpara se Shqipëria të nisë bisedimet, vendi duhet të tregojë progres në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit gjyqësor. Gazetarja thekson se Shqipëria nuk është vetëm prodhuese e madhe e kanabisit, por edhe një vend tranzit për kokainën dhe heroinën që futet në BE. Diplomatët perëndimorë thonë për “FT” se trafiku menaxhohet nga baronët vendas të drogës, që kanë lidhje me grupe kriminale nga Amerika Latine dhe Turqia.
Rama i ul shqetësimet e Perëndimit se vendi rrezikon të bëhet një narkoshtet, pothuajse i varur plotësisht nga të ardhurat e drogës. “Nuk e mohoj që ka një problem me drogën”, tha ai për “FT”. “Por ka një kthesë të fuqishme këtë vit, sa i përket kanabisit. Zona e kultivuar është shumë e vogël, mbikëqyrja është rritur dhe policia është më aktive ndaj kultivuesve”. Kurse gazetari investigativ Artan Hoxha thotë se emrat e mëdhenj të drogës kanë mbrojtje politike në nivelet më të larta.
Baronët e mëdhenj të drogës nuk janë arrestuar. Ai thotë se ndërhyrja e policisë ndihmoi që të stabilizoheshin çmimet. “Gjërat po dilnin jashtë kontrollit. Nëse policia nuk do të niste të shkatërronte bimët, një kile hashash do të shitej sa një kile domate”, thotë Hoxha. Kurse Spartak Ngjela, ish-ministër i Drejtësisë, thotë se kanabisi ofron mundësi financiare për zonat rurale, ku papunësia është 70 për qind. Kultivuesit e kanabisit mendohet se kanë fituar 300 milionë euro vitin e shkuar, një shumë e ngjashme me remitancat e përvitshme që dërgojnë në shtëpi shqiptarët që punojnë në Europën Perëndimore. “Dy vitet e fundit, autoritetet u tërhoqën dhe lejuan fermerët që ta kultivojnë për të fituar para. Por gjërat dolën jashtë kontrollit dhe tashmë ka mbaruar”, tha Ngjela. Nga ana tjetër, ministri i Financave Arben Ahmetaj thotë se kërkon që të luftojë rritjen e kanabisit duke promovuar eksporte të tilla si vaji i ullirit dhe luleshtrydhet. Vetë Elezi thotë se po shqyrton disa mundësi. “Ndoshta mund të mbjell sherebelë”, thotë ai.