“Fair play” financiar

Milani shpenzon, ndërsa Interi qëndron duke parë. Në bisedimet rreth “derbit” të merkatos në Milano, të nxehura në veçanti gjatë këtyre ditëve, tifozët meditojnë arsyet e sjelljes së ndryshme në merkato. Në pritje të lëvizjeve të radhës, qëndron një siguri: nuk është një çështje parash.
Pas krahëve të zikaltërve qëndron një grup, “Suning”, me 50 miliardë faturime që ka derdhur në arkat e Interit përgjatë sezonit të parë të ardhjes në Itali rreth 400 milionë euro, nga të cilat 115 milionë të investuara në merkaton e blerjeve të verës së kaluar dhe 28 milionë për të afruar Galjardinin në janar.
Pra, dy shoqëritë kineze kanë nisur të operojnë në distancë të rreth një viti dhe shpenzimet e mëparshme të “Suning” duhen mbajtur në konsideratë, paçka marrëveshjeve dëshpëruese prej nga u afruan Zhoao Mario dhe Gabigol. Ndaj tashmë po tregohet më shumë kujdes për lëvizjet e radhës. Pra, nuk flitet për çështje parash për dy klubet e Milanos.
Ambiciet e “Suning”-ut nuk kanë ndryshuar, investimet e kërkuara nga Spaleti nuk do të mungojnë. Shpenzimet, megjithatë, do të kryhen, duke konsideruar buxhetin financiar të caktuar nga UEFA.
Është e vërtetë që kërkesat e organit kryesor të futbollit në Europë janë respektuar nga Interi, që ka mbyllur bilancin e sezonit 2015-2016 me një humbje (në kufijtë e “fair play”), brenda 30 milionëve, shumë që është zeruar me shitjet e bëra në qershorin e kaluar.
Është gjithashtu e vërtetë që Interi, në ndryshim nga Milani, meqenëse ka marrë pjesë në Kupat e Europës gjatë sezoneve të fundit, ka përfunduar në “lupën” e UEFA-s. Rregulla parësore, ajo e pikës së barazisë, imponon një humbje agregate prej maksimalisht 30 milionë eurosh në 3 sezonet e fundit.
Klubi zikaltër synon të rikthehet në Ligën e Kampionëve në sezonin 2018-2019 dhe duhet, ndërkaq, të rikthejë bilancet në normë: nuk duhet të ketë deficite buxhetore gjatë këtij sezoni.
Milani, në krahun tjetër, nuk është më pjesë e këtyre problemeve. Nuk është ende nën monitorim nga UEFA dhe, për më shumë, me besim pret një përgjigje pozitive nga marrëveshja e vullnetshme, pikë e propozuar më vonë në “fair play”, që ofron më shumë hapësirë në blerje, në sajë të një plani trevjeçar për të barazuar bilancet.
Klubi kuqezi ka tërhequr kërkesën e mëparshme, duke parë që UEFA po tregohej mosbesuese ndaj parashikimeve të planit (në veçanti ndaj të ardhurave që priteshin nga Kina) dhe informacioneve mbi aksionerët e rinj. Çështja është shtyrë për në tetor. Ja përse Milani po lëviz në merkato pa shqetësime.
Për sa i përket Interit, marrëveshja për të arritur buxhetin qëndron në fuqi deri në vitin 2019: nëse pas një viti do arrijë të kualifikohet për kupat, klubi zikaltër do të duhet të bëjë çudira për të vendosur në ekuilibër bilancin blerje-shitje, që vlen për t’u përfshirë në listën e UEFA-s.
Por shqetësimi më i madh është mbi pikën e barazisë. Me një paralajmërim: barazimi i bilancit e arritur gjatë këtij sezoni nuk parandalon blerjet e reja, por kërkon një menaxhim të ekuilibruar.
Në frontin e shitjeve, nëse do të bëheshin blerje për një vlerë 200 milionëshe, këto do të amortizoheshin, duke ndikuar në 20-25 milionë shpenzime këtë vit.
Në frontin e afrimeve, shuma e fitimeve komerciale me Kinën është shkruar tashmë në planin e paraqitur për sezonin 2016-2017, por një ndihmë megjithatë pritet. Më e lehtë të bazohesh te plusvalencat (40-50 milionë vetëm nga shitja e Perisiç), me sytë edhe nga merkato e janarit dhe qershorit.