BB, pse energjia për shqiptarët është luks

Kryereforma e qeverisë shqiptare, ajo e sektorit energjetik ka prodhuar një situatë gati mjeruese, duke e shndërruar energjinë në një mall luksi për shqiptarët. Banka Botërore deklaroi se Shqipëria është vendi me konsumin më të ulët të energjisë në Ballkan dhe shkaku kryesor është pamundësia e familjeve për ta përballuar atë. Në një raport të quajtur “Integrimi Ekonomik i Ballkanit Perëndimor”, BB vëren se konsumi për frymë i energjisë në Shqipëri është gati dy herë më i ulët se sa mesatarja e rajonit dhe katër herë më i ulët se sa Bashkimi Europian. “Shqipëria ka konsumin më të ulët të energjisë për frymë me 0.8 toe për frymë nga 1.6 që është mesatarja në Ballkan. Në Bosnje konsumi i energjisë për frymë llogaritet 2 toe”, deklaron BB. Shifra e ulët e konsumit të energjisë në Shqipëri pasqyron motorizimin e ulët të vendit, por edhe çmimin e shtrenjtë të energjisë, në të gjitha format e saj si atë elektrike ashtu dhe në formën e karburanteve.

Konsumi i energjisë elektrike

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, një shqiptar konsumon mesatarisht 1356 kilova/orë energji elektrike në vit. Në Bosnje, vendi i dytë më i varfër i Europës, konsumi i energjisë për frymë llogaritet 3360 kilova/orë. Kjo do të thotë se një qytetar i Bosnjes konsumon 2.5 herë energji më shumë se sa një shqiptar. Në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, konsumi i energjisë është mbi 3500 kilovat/orë në vit, ndërsa në Serbi ai është 4272 kilovat/orë për frymë. Është e qartë se për shqiptarët, ajri i kondicionuar, ngrohja apo gatimi me energji janë shërbime luksi, të paaksesueshme për pjesën më të madhe të popullsisë. Qeveria e ka rritur vazhdimisht çmimin e energjisë elektrike duke e bërë të papërballueshme për familjet shqiptare, të cilat nuk kanë akses as në shërbimet më jetike.

Kriza energjetike do vijojë gjatë gjithë verës

Mungesa e reshjeve të shiut ka çuar me ritme të shpejta drejt tharjes Liqenin e Fierzës. Sipas statistikave zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, uji në basenin e Fierzës bie mesatarisht me 40 cm në ditë. Niveli i Fierzës është afërsisht 274 metër dhe vazhdon të ulet, ndërkohë që prurjet janë rreth 80 metër kub në sekondë, duke qenë mesatarisht 40 për qind më të ulëta se vitet normale. Qeveria preferoi të mos blinte energji gjatë muajve të kaluar. Madje gjatë fushatës elektorale, qeveria preferoi të shkarkonte të gjitha kaskadat, me qëllim që energjia mos mungonte dhe kjo mos i kthehej në kosto elektorale. Por raportimet nga të gjitha zonat e vendit tregojnë për mungesa të zgjatura energjie dhe në vendet turistike ku sezoni ka filluar. Për shembull, në të gjithë bregun nga Borshi deri në Sarandë energjia elektrike mungon me orë të tëra, në Tiranë energjia ndërpritet pa asnjë paralajmërim. Janë vetëm shenjat e para dhe nuk përjashtohet mundësia që kësaj vere të përjetojmë një krizë energjetike të zgjatur.

Rama ndaloi tenderët, po koncesionet? Hapet gara për Bushtrica 4

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka vendosur të plotësojë ciklin e katër koncesioneve mbi lumin e Bushtricës duke hapur së fundmi garën për hidrocentralin e fundit. Sipas dokumenteve të publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik bëhet me dije se ky koncesion do të jetë për Bushtrica 4 dhe përfshin shfrytëzimin e pellgut ujor të lumit me të njëjtin emër, në kuotën e 820 metrave mbi nivelin e detit deri në 1336 metra mbi nivelin e detit. Operatorët e interesuar duhet të shprehin interes deri më 21 gusht 2017 dhe pjesën më të madhe të pikëve e zë fuqia e instaluar dhe më pas vijnë tarifa koncesionare dhe analiza ekonomike dhe financiare.

Bushtrica 1 dhe 2

Më herët në fund të muajit prill pak para se fushata elektorale të ndizte motorët në maksimum, Ministria e Energjisë dhe Industrisë hapi një garë për partneritet publik privat për dy hidrocentralet Bushtrica 1 dhe 2. Këto të fundit do të ndërtohen në kuotat 380 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 498 metra mbi nivelin e detit dhe nga 503 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 678 metra mbi nivelin e detit. Në vitin 2007 qeveria Berisha do të miratonte një bonus prej 9.5 për qind të pikëve për propozimin e pakërkuar nga kompania “2A Power sh.p.k.” së cilës iu hoq e drejta pas mosrespektimit të kontratës.

Bushtrica 3

Më 12 qershor të po këtij viti Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të shpallte për interes edhe hidrocentralin Bushtrica 3. Kjo ishte në vargun e një seri HEC-esh të tjera si Kalivaçi, Grabovë, Lusa e më pas Gojan. Ky HEC parashikohet të ndërtohet në kuotën 683 metra mbi nivelin e detit deri ne kuotën 879 metra mbi nivelin e detit. Pavarësisht vrullit për të dhënë disa koncesione në kohën kur vendi ishte në ethe elektorale duket se kanë nisur edhe kundërshtimet e para. Pranë Komisionit të Prokurimit Publik është paraqitur edhe ankesa e parë që lidhet me Bushtrica 1 ankimuar nga një kompani private. Aktualisht procedurat e prokurimit janë pezulluar me një vendim të veçantë me përjashtim të emergjencave që marrin miratim paraprak.