Dyndje masive drejt Europës, azili e vetmja shpresë për shqiptarët

Nuk ka më asnjë shpresë. Megjithë deportimet, paralajmërimet deri edhe tek kërcënimet e shteteve të BE, asgjë nuk i ndal dot shqiptarët drejt braktisjes së Shqipërisë dhe nisjes së një jete të re jo të lehtë, por me shpresa larg vendlindjes. Për të katërtin vit radhazi, shqiptarët vijojnë të përplasen dyerve të Europës në kërkim të një vendi pune e strehe për të jetuar normalisht. Zyra europiane për Azilin ka publikuar raportin vjetor, sipas të cilit vendi ynë është një ndër 10 vendet me numrin më të lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian. Shqipëria për 2016 ka pasur rreth 3 për qind të totalit të aplikacioneve, duke u radhitur pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut, por në krah me Somalinë dhe Eritrean. Megjithatë, Shqipëria është edhe vendi me reduktimin më të lartë të shifrave të azilantëve krahasuar me 2015, por kjo nuk na zbret nga lista e dhjetëshes me numrin më të lartë të aplikimeve për azil. Në krahasim me tre vjet më parë numri i azilkërkuesve në Europë ka pësuar rënie, ndërkohë që Siria mbetet ende vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve. 1.3 milionë kërkesa azili janë paraqitur më 2016 në Bashkimin Europian, ku përfshihet edhe Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lichtenstein. Ndërkohë, muajt e parë të 2017 tregojnë një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë në tre vitet e shkuara. Siria mbeti vendi kryesor i origjinës së aplikantëve të regjistruar në BE +, duke përfshirë edhe periudhën midis janarit dhe majit 2017, e ndjekur nga Afganistani, Iraku, Pakistani dhe Nigeria. Por Shqipëria renditet në dhjetë vendet kryesore me numrin më të madh të aplikantëve për azil në BE vitin e shkuar. Këto të dhëna janë bërë publike gjatë prezantimit të raportit vjetor të zyrës europiane të mbështetjes për azilin (EASO) në Bruksel për situatën e azilit në Bashkimin Europian më 2016. Vendet kryesore pritëse të azilantëve janë Gjermania, Italia, Franca, Greqia dhe Austria. Barbara Celis, përfaqësuese e EASO: “Nga 1,3 milionë aplikantë për azil në Bashkimin Europian më 2016, Siria kryeson në listën e vendeve të origjinës, duke përbërë më shumë se 1/3 e të gjitha aplikimeve. Siria vazhdon të mbetet vendi kryesor i origjinës së aplikimeve për azil në BE+ që prej 2013. Në vendin e dytë renditet Afganistani me 15% të totalit të aplikimeve, ndërkohë që në vendin e tretë renditet Iraku me 10% të totalit të aplikimeve të kryera. Dhjetë vendet me numrin e aplikantëve më të mëdhenj për 2016 përfshijnë Pakistanin, Nigerinë, Iranin, Eritrean, Shqipërinë, Rusinë dhe Somalinë”. Sipas raportit të zyrës europiane të mbështetjes për azilin, situata e aplikimeve të azilit në BE ka çuar në rritje të vendimeve të lëshuara në shkallë të parë. Në vitin 2016, vendet e BE + regjistrojnë 1,15 milionë vendime të shkallës së parë ose 84% më shumë krahasuar me vitin 2015. Gjithashtu vendimet e lëshuara në shkallë të dytë më 2016 u rritën me 21% në krahasim me 2015. Aplikantët shqiptarë vazhdojnë të renditen në dhjetë vendet kryesore që kanë kërkuar azil edhe në muajt e parë të 2017. Barbara Celis, përfaqësuese e EASO: “Në muajin maj 2017, tre vendet kryesore të aplikantëve për azil në Bashkimin Europian janë Siria, Afganistani dhe Iraku. Sirianët vazhdojnë të kryesojnë dhe është pak a shumë e njëjta skemë si më 2016. Në muajin maj të këtij viti, dhjetë vendet me numrin e aplikantëve për azil në Bashkimin Europian + përfshijnë edhe Pakistanin, Shqipërinë, Bangladeshin dhe Eritrenë”. Në raport nënvizohet fakti, se më 2016, më shumë se 65 000 të mitur të pashoqëruar aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në BE, që përbëjnë 37% më pak se më 2015.