Drogë nga Shqipëria, goditet organizata kriminale në Greqi

Policia greke ka shkatërruar një organizatë kriminale të trafikut të drogës nga Shqipëria në shtetin fqinj. Sipas gazetës “Protothema”, janë arrestuar dy vëllezër grekë 32 dhe 23 vjeç, të cilët ishin drejtuesit  e rrjetit të drogës. Në pranga ranë edhe pesë bashkëpunëtorë të tyre grekë, si dhe katër shqiptarë të moshës 27, 35, 37 dhe 44 vjeç.
Sipas hetimeve të policisë, organizata kriminale trafikonte hashashin nga Shqipëria drejt Greqisë. Autoritetet thonë se një pjesë e hashashit ishte e llojit çokollatë. Një prej vëllezërve drejtues, 32-vjeçari grek mbante kontakte në Shqipëri me një “homolog” të tij për kanabisin që do të trafikohej.
Më pas, përgjegjësinë për magazinimin e drogës e kishte vëllai 23-vjeçar i drejtuesit të rrjetit, i cili e fshihte në zonën e Kavalas dhe Dramas. Gjatë operacionit antidrogë, policia sekuestroi 7 kg kanabis, 1550 euro dhe 10 celularë. Të arrestuarit akuzohen për krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge.