Deputeti i CDU: Vetëm 46% votuan, është shqetësuese

Zgjedhjet në Shqipëri nuk e bindin Europën. Kreu i grupit për Europën Juglindore në Parlamentin gjerman thotë se pjesëmarrja në votime është e ulët. Po përse kjo situatë? Për deputetin gjerman është mjaft e qartë se tek shqiptarët ka humbur besimi tek demokracia. Ai sheh si një nga detyrat kryesore të qeverisë së re të rrisë besimin e qytetarëve tek demokracia, ndonëse hapat e fundit të hedhur nga qeveria flasin për të kundërtën, për një pushtet autoritar që po ngrihet nga dita në ditë duke zëvendësuar institucionet me kultin e individit në krye të qeverisë.
Stefan Albani, anëtar i Partisë të Unionit Kristian Demokratik në Gjermani, deputet dhe kryetar i Grupit parlamentar Gjermani–Europa Juglindore, ka dhënë një intervistë dje për “European Western Balkans” përmes të cilës jep disa komente për vendet e rajonit tonë dhe perspektivën e integrimit.
Sipas tij ka një ngadalësim shqetësues në kursin e reformave dhe se Shqipëria është pak e besueshme. Me këtë rast ai ka theksuar, se Serbia si vendi me popullsinë dhe ekonominë më të madhe ka përgjegjësi kryesore në rajon. Albani thotë gjithashtu, se anëtarësimin në BE mund ta marrin vetëm vendet që përmbushin kriteret e Kopenhagenit. I pyetur për fitoren e socialistëve të Edi Ramës në Shqipëri, ai bën këtë koment:
“Gjatë fushatës elektorale, socialistët shprehën mbështetjen e tyre, për reforma të thella që do të hapin rrugën drejt BE-së. Këto përfshijnë për shembull, reformën e sistemit gjyqësor që vlerësohet si i korruptuar. Shumica absolute tani mori një mandat të qartë nga votuesit për të lëvizur në këtë drejtim.
Pavarësisht kësaj e konsideroj pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje prej 46% që nuk ka precedent, si shqetësuese. Shpresoj shumë që qeveria e re të përmbushë premtimet e veta, duke përforcuar besimin e shqiptarëve te demokracia. Reforma në drejtësi ëshhtë një projekt kyç për anëtarësimin në BE. Shumë shpejt do të bëhet e qartë nëse bllokada e imponuar deri më tani nga PD-ja do të tejkalohet”.