Demokratët zgjedhin Kryetarin e ri

Demokratët iu drejtuan dje kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të PD. Procesi nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm, duke vijuar i qetë dhe pa asnjë incident deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Rreth 103 mijë anëtarë u thirrën për të marrë pjesë në votime, ndaj të cilët, sipas të dhënave zyrtare të komisionit të operacioneve elektorale në PD, nga 103.952  mijë anëtarë, dje votuan 59.766 anëtarë demokratë.
I pari që iu drejtua selisë së PD për të votuar ishte kandidati Eduard Selami, i cili pas votimit në një reagim për mediat shprehu vlerësimin për procesin e rregullt dhe të qetë. Më pas, drejt selisë së PD, për të votuar u drejtua kandidati tjetër Lulzim Basha. Në një reagim për mediat, Basha vlerësoi organizimin e procesit zgjedhor, ndërsa falënderoi Selamin për modelin e fushatës së ndjekur në përballjen mes dy kandidatëve. Të dy kandidatët, si Selami ashtu edhe Basha shprehën bindjen se pas këtyre zgjedhjeve, kushdo që të jetë fituesi Partia Demokratike do të dalë më e bashkuar dhe të frymëzuar për t’u ringritur sërish.
Në selinë qendrore ku ishte ngritur qendra e Degës Nr. 2, votuan përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Në çdo qendër votimi u ngrit një komision që u miratua nga kryesia e degës, dhe kryetar u zgjodh një nga nënkryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat. Votimi u zhvillua me të njëjtat kriteret si në rastet e votimit për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale, me të njëjtat kritere si ato që parashikon Kodi Zgjedhor me kodet, si mbyllet kutia, me votat e pavlefshme, pra të gjitha”.
Gara për kreun e PD solli risinë e përballjes mes dy kandidatëve dhe konfrontimin e programeve të tyre ashtu si edhe vizionin për drejtimin e PD në katër vitet e ardhshme. Dy kandidatët janë shfaqur përballë njëri-tjetrit në shumë qytete të vendit, ku kanë shkëmbyer pikëpamje, por edhe replika mbi ringritjen e Partisë Demokratike dhe rikthimin e fuqishëm të saj në pushtet. Gara reale e dy kandidatëve përfshiu në takime gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike në bazë nga Veriu në Jug të vendit. Në listën përfundimtare të votimit u përfshirë dhe 3 kategori anëtarësh, të cilët ishin anëtarë të degëve të PD-së në Selanik, Romë, Londër. Organizmat e PD morën të gjitha masat për një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të Partisë Demokratike.

Transparenca, numërimi i votave para mediave

Siç ishte paralajmëruar procesi i numërimit të votave nisi rreth mesnatës, fill pas momentit ku të gjitha kutitë e votimit të 73 degëve ku u votua u sollën në Tiranë. Për të garantuar një proces të plotë transparent, komisioni operacional i zgjedhjeve kishte vendosur që pas mbylljes së procesit të votimit, të gjitha kutitë e votimit të të gjitha qendrave në vend të vuloseshin sipas procesverbaleve përkatëse dhe të dërgoheshin për t’u numëruar në selinë qendrore në Tiranë. Në shërbim të transparencës, u vendos që numërimi i votave të zhvillohej tërësish para mediave.

Procesi i qetë dhe me standarde, asnjë incident

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami doli pasdite në një konferencë për mediat nga selia blu, ndonëse votimet brenda PD nuk kanë përfunduar ende. Ashtu siç edhe raportoi më herët gazetarja Elda Menga, demokrati Selami denoncoi pjesëmarrjen e kryetarëve të degëve të PD në këtë proces. Edhe më herët, Selami tha se kryetarët e degëve të Partisë Demokratike nuk duhet të jenë në komisionet e votimit, pasi sipas tij mund të ketë ndikime në anëtarësi për të votuar një kandidat apo tjetrin. Gjatë ditës së sotme Selami u shpreh se, gara brenda PD për kreun e partisë nuk është e barabartë. Në deklaratën për mediat, kandidati për kreun e PD dha edhe gjykimin e tij për ecurinë e procesit. Në përgjigje të shqetësimit të Selamit, pak minuta më vonë doli në një deklaratë për mediat kryetari i Komisionit të Votimit për kreun e ri të PD-së, Jemin Gjana. Ai ka treguar se ecuria e votimit është e kënaqshme dhe se nuk ka asnjë parregullsi e incident.
Sipas Gjanës “deri në orën 17:00 ka një shifër të kënaqshme votuesish, por kjo shifër do të shkojë në rritje deri në orën 19:00. Në rrethet e mëdha numri është më i ulët, ndërsa përqindja më e lartë e votuesve është në rrethet e vogla”. Gjana falënderoi komisionerët, përfaqësuesit e kandidateve për ecurinë e votimeve në 73 komisionet e votimit në të 68 degët e PD-së në vend. “S’ka probleme, s’ka incidente dhe e konsiderojmë e vlerësojmë votimin e procesin të rregullt e korrekt, tha Gjana. Pasi të mbyllet votimi, do të bëhet rakordimi dhe mbledhja e gjithë kutive të votimit dhe procesi i numërimit do të nisë nga mesnata”… Lidhur me fotografitë e Lulzim Bashës në qendrat e votimit, Gjana e shprehu si shqetësim të drejtë, por të justifikuar, pasi votimet janë kryer në zyrat e PD-së, të cilat e kanë pasur aty portretin e kryetarit dhe në shumicën dërrmuese të tyre këto fotografi janë hequr. Ndërsa me mungesën e disa emrave, atë që shprehu pak më parë Selami si shqetësim, Gjana tha se nuk kemi sinjale në këtë drejtim.

Basha: Më të fortë dhe të bashkuar nga gara

Dua të falënderoj të gjithë demokratët që janë bërë pjesë për herë të dytë e procesit një anëtar një votë, për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.
Shpreh mirënjohjen time më të thellë për turin e bashkëbisedimit që më ofruan mua dhe kandidatit tjetër, z.Selami gjatë një fushate intensive anembanë vendit, në çdo degë të Partisë Demokratike.
Dua të shpreh mirënjohjen komisionerëve dhe gjithë infrastrukturës zgjedhore të Partisë Demokratike për punën e shkëlqyeshme që kanë bërë.
Procesi po ecën në mënyrë të qetë, të civilizuar dhe demokratike.
Jam i bindur se Partia Demokratike dhe demokratët dalin nga ky proces më të fortë, më të bashkuar dhe gati për t’u kthyer në forcën e vetme që përfaqëson të ardhmen e shpresën e çdo shqiptari të ndershëm në këtë vend.

Selami: Jam i zhgënjyer nga ata që kërkojnë bojkotin

Reagimi i kandidatit për Kryetar të PD, Eduard Selami pas votimit. Ka filluar një proces, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Partinë Demokratike, por edhe për Shqipërinë, për opozitën në përgjithësi dhe mbi të gjitha për të ardhmen tonë. Ky proces i sotëm ka filluar në mënyrë të qetë, në mënyrë të rregullt dhe siç e kam thënë edhe përpara, pavarësisht nga pabarazia që ka patur kjo garë, unë mendoj që demokratët do të dinë që me votën e tyre të fshehtë, të zgjedhin jo thjesht kryetarin, por të zgjedhin modelin më të mire, i cili do t’i kthejë besimin dhe shpresën, jo vetëm demokratëve, por edhe shqiptarëve.
Dhe jam i bindur  që votimi i sotëm do ta bëjë më të bashkuar dhe do ta ringrejë Partinë Demokratike edhe një herë, me shpresë për të ardhmen dhe Shqipërinë.

– A mundet një garë e pabarabartë të nxjerrë një rezultat të drejtë?
Unë mendoj që gara e pabarabartë nuk mund të nxjerrë një rezultat klinikisht të drejtë. Por ato çka humbas në procedura, unë  e fitoj në avantazhin që ka modeli im.

– Si po shkon procesi nga ana organizative?
Nga ana organizative sot nuk kam ndonjë shqetësim, me të cilin lidhet ndonjë lloj deformimi i rezultatit. Thjesht, janë gjëra teknike që deri tani po shkojnë mirë. Unë do ju mbaj në kontakt dhe për çdo problem, do të komunikojmë. Qëllimi ynë është që kjo garë, e cila në vetvete siç kam thënë nuk është një garë e lehtë, garat brenda partive politike janë të vështira dhe në vende me demokraci shumë të zhvilluar, megjithatë unë do të bëj përpjekje maksimale dhe mendoj edhe të gjithë demokratët, që PD të dalë sa më e fortë nga ky proces.

– A mendoni se do të ketë pjesëmarrje meqenëse ka një grup që ka bërë thirrje për bojkot të votimit?
Besoj se pjesëmarrja është e lartë nga kontaktet dhe informacionet që unë kam. Unë mendoj që bojkoti nuk është ide e mirë dhe kam qenë gjithmonë kundër bojkotit, nuk e kam pranuar. Them se bojkoti është një gjë që i përket të kaluarës. Jam i zhgënjyer nga kolegët e partisë, njerëz me kontribute, të cilët ofrojnë bojkotin. Demokracia është rreth alternativave, rreth konkurimit, demokracia është rreth votimit dhe bojkoti është i së kaluarës. Unë shpreh zhgënjimin tim, por kam mendimin dhe besimin që shumë demokratë ndajnë të njëjtin qëndrim.