Çmimi i ujit dhe lehtësia e papërballueshme e qeverisjes

Enton Abilekaj

Mënyra se si u mor vesh rritja e çmimit të ujit, e bëri të duket si një plan mafioz. I projektuar në fshehtësi, i dekonspiruar nga Sali Berisha me informatorët dixhitalë, u zbulua nga mediat më pak se një javë përpara votimit në Këshillin Bashkiak. Një relacion që flet për falimentimin e Ujësjellësit, vetëm sa fyen këshilltarët që duhet ta votojnë dhe qytetarët që duhet ta pësojnë. Humbjet në rrjet dhe nevoja për një reformë të ujit, jo si ajo që filloi Rama para dy vjetësh, mund të gjejë konsensusin e qytetarëve dhe këshilltarëve, por më parë duhet grisur relacioni fyes që ka përgatitur Bashkia dhe të paraqiten dokumentet që kërkon ligji dhe ato që kërkon votimi në Këshill.
Nënkryetari i Bashkisë, Mazniku informoi se do të investohen 220 mln euro në 5 vitet e ardhshme për të arritur që Tirana të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Sot, nuk ka as ujë të pijshëm dhe as furnizim 24 orë. Do të ishte një projekt ambicioz ky i Bashkisë, një projekt që do të justifikonte edhe rritjen e çmimit. Nëse do të kishte projekt. Fjalët e Maznikut dhe të Veliajt nuk janë projekt. Ato janë premtime, që mund të verifikohen si mashtrime pas disa vitesh, kur situata të mos ketë ndryshuar.
Nëse do të kishin projekt, atëherë do të shpjegonin gjithë strategjinë që Bashkia pretendon se ka për të furnizuar Tiranën 24 orë më ujë të pijshëm. Në radhë të parë, për transparencën që nuk është pika më e fortë e Veliajt, duhet sqaruar se sa kapacitet kanë rezervuarët aktualë, sa e përballon rrjeti furnizimin. Mazniku e quan të amortizuar, por nuk ka asnjë shifër se sa përqind e rrjetit është e amortizuar dhe sa kosto do të ketë rindërtimi i tij. Në këtë kosto përfshihen edhe rrugët që do të çahen përsëri, edhe ndotja që do të shkaktojnë, edhe trafiku që do të përkeqësojnë.
Nëse do të kishte një projekt sado joserioz, do të kishte një studim sado të keq, për rezervuarin e ri, për burimet e reja ujore dhe për kostot e tyre, do të kishte një shpjegim pse uji që vjen në rubinetat nuk është i përdorshëm as për të larë duart, sa është niveli i baktereve, pse kanë dështuar investimet e mëparshme dhe si do bëhet që të mos dështojnë 220 milionë euro të tjera investime.
Sa është kostoja e metrit kub të ujit sot në Tiranë? Si shpjegohet që megjithë humbjet mbi 65% në rrjet, UKT del me 5 milionë euro fitim? Projekti duhet t’u jepte përgjigje këtyre pyetjeve, nëse do të ekzistonte. A do të rritet çmimi për të investuar apo do të përballojë koston e metrit kub? Sa është kostoja e m3 të ujit sot dhe sa do të jetë pas këtij investimi? A do të ketë rritje të çmimit, pasi uji të bëhet i pijshëm? Pse vendet e rajonit kanë ujë të pijshëm 24 orë me kosto më të ulët se e jona, ndërkohë që kanë shumë më pak burime ujore se ne? Pse ujësjellësi duhet të dalë me 5 milionë euro fitim, ndërkohë që uji është nevojë jetike? Ku ka shkuar deri sot fitimi i UKT? Projekti që nuk ekziston duhet t’u jepte përgjigje këtyre pyetjeve dhe më pas të kërkonte rritjen e kontributit. Sepse kjo nuk mund të quhet rritje çmimi për sa kohë malli nuk është bërë më i shtrenjtë, pra nuk është bërë më cilësor dhe për sa kohë ujësjellësi del me fitim, pra qytetarët e paguajnë mbi kosto.
Kjo që kërkon Bashkia quhet rritje e kontributit të qytetarëve, që për të njëjtin shërbim që vetë Bashkia e quan të keq, do paguajnë më shumë. Këto kontribute mund t’u merreshin edhe të pasurve, atyre që përdorin ujin pa kriter në bizneset e tyre, mund të ndërtohej një skemë pagese progresive, për të mbrojtur shtresat në nevojë dhe për t’i bërë ata që fitojnë nga konsumi i ujit, të paguajnë më shumë.
Kjo nuk është politikë e Rilindjes që anuloi pagesën progresive të energjisë dhe nuk e zbatoi taksën progresive tek të pasurit, megjithëse vazhdon ta përdorë për propagandë. Nuk do të ketë çmim progresiv, të pasurit nuk do të preken, paratë do u merren të varfërve se ata janë shumë. Kështu, një familje me 4 vetë që paguan sot ujin 45 lekë për m3 dhe fatura e ujit me TVSH i shkon rreth 1 mijë lekë të reja në muaj, do të paguajë rreth 14 mijë lekë në muaj, 40 për qind më shumë. Kjo është një shifër që e kalon pagesën mujore të një anëtari të një familjeje në ndihmë ekonomike dhe, të paktën për 5 vitet e ardhshme, nuk i siguron furnizimin me ujë të pijshëm. Ai do të duhet të blejë ujë të pijshëm, të paguajë edhe energjinë dhe të sigurojë edhe ushqim.
Është e qarte që nuk ka asnjë strategji, sepse asnjërës prej pyetjeve dhe nevoja minimale nuk u jepet përgjigje. E vetmja përgjigje është që të mbyllet rubineti sikur të jesh punonjës lavazhi dhe ta lësh rubinetin hapur. Nëse do të kishte një strategji ajo duhej të ishtë miratuar nga Enti Rregullator i Ujit, bashkë me masat shoqëruese si rritja e çmimit.
Nga fshehtësia dhe niveli i propagandës, ngjan me një plan djallëzor që do çojë një përfitim tek njëri nga oligarkët e Rilindjes. Këtë nuk e përjashtoi as vetë nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku në një intervistë dhënë për “New24”, kur tha se, “Partneritet Publik Privat pritet të merret në konsideratë në një kohë të dytë”. Ose është një aksion partizan, nga ata që e karakterizon qeverisje qendrore dhe vendore. Kujtohen për problemet vetëm kur u dalin përpara. E solli thatësira problemin dhe u vendos të zgjidhej me një aksion, që do të bjerë si gjithmonë në kurrizin e të pambrojturve. Tipike për një qeverisje që projekte strategjike tenton t’i zgjidhë me aksione fasadë, ndërsa fasadat i zgjidh me projekte strategjike. Kjo është lehtësia e papërballueshme e qeverisjes.