Çështja “Muller”

Dështimi i Ançelotit për të fituar tripletën që në sezonin e parë te kampionët në fuqi të Budesligës po analizohet deri në detajet më të vogla nga gazetarë, ish-futbollistë dhe drejtues. Në realitet, që nga periudha e Guardiolës e më pas, Baeyrni është gjithë e më pak bavarez, dhe tani që edhe pozicioni i Thomas Mullerit mund të jetë më periferik, irritimi ka arritur kulmin.
Sezonin e kaluar, Muller ka luajtur më pak se zakonisht. Në fakt 42 ndeshje zyrtare nuk janë pak, por në sfidat më të rëndësishme gjithmonë e ka nisur në stol. Ndodhi 21 dhjetorin e kaluar kundër Leipzigut, kur të dyja skuadrat ishin në kuotë të barabartë pikësh. U përsërit në Kupën e Gjermanisë dhe në Champions, ku u aktivizua vetëm 4 minuta në përballjen e dyfishtë me Arsenalin. Madje edhe kundër Realit të Madridit në çerekfinalet e Championsit nuk ishte pjesë e formacionit titullar.
Tashmë që Bayerni bleu edhe James Rodriguezin, të preferuarin e Ançelotit, pozicioni i Mullerit është edhe më i dyshimtë. Si sulmues i parë Lewandwski është i pazëvendësueshëm, ndërsa si sulmues krahu nuk gjen hapësira para Ribery, Roben dhe Coman. Në rolin e trekuartistit rrezikon të jetë vetëm zgjedhje e tretë pas Tiago Alcantaras dhe James. Hapësirat për futbollistin e fundit bavarez të mbetur në skuadër janë minimale. Përveç mediave dhe tifozëve që po kërkojnë llogari për rolin e Mullerit, ka ndërhyrë edhe Mathias Sammer, që deri një vit më parë ka qenë drejtor sportiv i Bayernit, duke e kritikuar hapur Ançelotin.
“Thomas nuk mund të luajë në krah, sepse i mungon ritmin për ta bërë këtë rol. Mund të niset nga anësorja dhe të tentojë qendrën, por nuk është ky roli i tij. Muller është shpirt i lirë dhe duhet ta ndjejë këtë liri. Ndoshta është futbollist i ndryshëm nga ata që ka drejtuar deri tani Ançeloti, kjo është arsyeja që nuk e kupton. Rummenigge dhe Hoeness duhet t’ia shpjegojnë trajnerit rëndësisnë e Mullerit për historinë e klubit. Ai është emblema dhe e ardhmja e klubit”, është shprehur Sammer.
E menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigjja e Ançelotit ndaj Sammerit. Italiani u shpreh se askush nuk duhet t’i shpjegojë historinë e futbollistit apo të klubit. Është edhe një çështje tjetër që po zien brenda klubit bavarez. Pas tërheqjes së Lahm, Rummenigge ka këmbëngulur se rolin e tij duhet ta trashëgojë Kimich, por ky koment nuk i ka pëlqyer Rafinhas. Mbrojtësi i djathtë ironizoi duke kujtuar se, Rummenigge i ka të mirëpërcaktuara detyrat e tij, ndërsa trajner, pra ai që bën formacionin është Ançeloti. 26-vjeçari shtoi më tej se ka luajtur për 6 vite me Lahm dhe tani kërkon më shumë hapësira. Kush mendon se në Gjermani nuk ka përplasje mendimesh dhe gjykimesh gabohet rëndë. Ançeloti duhet të gjejë mënyrën për të vënë rregull.
Katër klube europiane janë duke shpresuar për një marrëveshje me yllin e kampionëve gjermanë, Tomas Myler. Sipas së përditshmes gjermane “SportBild”, Çelsi, Arsenali, Juventusi dhe Liverpuli kanë rritur interesat e tyre sa i përket mesfushorit 27-vjeçar.