Blerja e votave me paratë e drogës, si u fundos euro

Gjatë periudhës së zgjedhjeve, ku paratë e drogës bënë kërdinë në blerjen masive të votave, euro shënoi një minimum të ri historik ndaj lekut shqiptar duke konfirmuar më shumë dyshimet se në treg në periudhën e fushatës zgjedhore dhe deri ditën e zgjedhjeve qarkulluan miliarda euro nga droga. Monedha e përbashkët ka shënuar rritje për të tretën ditë radhazi në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej dje me 132.52 lekë, 0.03 lekë më shumë sesa një ditë më parë. Euro e ka marrë veten nga niveli minimal rekord i 9 viteve të fundit, që arriti në datën 27 qershor, kur u këmbye me 131.98 lekë, më e ulëta që nga gushti i vitit 2009. Nëse shikojmë të dhënat e shtrira në kohë, që nga muaji mars, vihet re një lidhje e drejtë mes rënies së fortë të euros dhe periudhës parazgjedhore në Shqipëri. Teksa gdhihej 19 maji, dy liderët e Partisë Socialiste dhe Demokratike, Rama dhe Basha, njoftuan se kishin arritur marrëveshjen për të hyrë në zgjedhje, pasi kishin negociuar prej muajsh edhe me ndërhyrjen e përfaqësuesve të huaj europianë e amerikanë. Data e zgjedhjeve u shty, me një javë, nga 18 qershori më 25 qershor. Zyrtarisht, ethet e fushatës nisën, që atë ditë. Më 19 maj, një euro këmbehej me 134.87 lekë. Pas asaj dite, euro vetëm ka rënë me shpejtësi në tregun vendas. Operatorët e tregut pohuan se arsyeja kryesore ishte rritja e ofertës për valutë, që ata e lidhnin me faktin që ndryshe nga periudhat e tjera parazgjedhore, këtë vit shpenzimet po kryheshin në euro. Të premten e para zgjedhjeve (23 qershor), euro kishte zbritur në 132.2 lekë, me një nënçmim prej 2.53 lekësh, ndërkohë që nga 1 janari deri më 19 maj, euro kishte rënë me 0.72 lekë (janari u hap në kuotat e 135.47 lekëve). Teksa operatorët e tregut raportuan lëvizje të mëdha valutore edhe gjatë fundjavës së zgjedhjeve, tregjet u hapën zyrtarisht vetëm të martën e 27 qershorit, për shkak se e hëna ishte pushim nga festa e Bajramit. Të martën që në mëngjes, rënia e euros ishte e fortë, duke zbritur përnjëherë në 131.98 lekë, duke reflektuar volumin e lartë të këmbimeve që ishte kryer në fundjavë. Kjo rënie nuk justifikohej as nga aktiviteti tregtar teksa ishin pushime dhe as nga turistët, që gjithsesi nuk ishin në kulmin e tyre dhe për më tepër ishin të stepur nga zhvillimi i zgjedhjeve. Nga data 19 maj, kur filloi fushata, deri më 27 qershor, euro ka rënë me gati 3 lekë. Pas 27 qershorit, rënia e euros u ndal dhe ajo e ka marrë gradualisht veten, pavarësisht se kjo është një periudhë kur faktorët sezonalë, si turizmi fillojnë e “punojnë” kundra saj. Forcimi i ditëve të fundit i euros në tregun vendas është i lidhur kryesisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët ka arritur në kuotat e 1.15 dollarëve, në nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2015. Megjithatë, në Shqipëri, euro mbetet më e ulët në raportet e këmbimit me lekun, sesa në dhjetor 2016, kur monedha e përbashkët në bursa zbriti në 1.05 USD, duke treguar se leku ka qenë i pandjeshëm ndaj zhvillimeve në bursa, por ka reflektuar më shumë kërkesë-ofertën në tregun e brendshëm.