Bie sistemi i kontrollit, 2 km radhë automjetesh në Doganën e Morinit

255

Radhë e gjatë automjetesh të rënda, mbi 2 kilometra u shënua në Doganën e Morinit në Kukës për shkak të rënies së sistemit të kontrollit. Shoferët e kamionëve kanë pritur që prej mëngjesit për të kaluar drejt Kosovës, duke humbur edhe afatet e dorëzimit të mallrave. Rritja e fluksit në këtë doganë, bën që me defektin më të vogël të krijohet radhë automjetesh, ndërsa ende nuk ka përfunduar dogana e re. Me dhjetëra automjete të transportit të rëndë kanë qëndruar në radhë me orë të tëra në territorin e Shqipërisë të Doganës së Morinës në Kukës, në pritje të zhdoganimit të mallrave, për të vazhduar rrugëtimin në Kosovë. Radhët e gjata për shkak të rënies së sistemit të zhdoganimit dhe skanimit të kamionëve ka bërë që shoferët të humbasin kohë të çmuar dhe afatet e dorëzimit të mallrave. Mbi dy kilometra radhë automjetesh u krijua gjatë paradites së të martës në segmentin Kukës-Morinë të Rrugës së Kombit në hyrje të doganës. Hyrja dhe dalja e automjeteve nga Dogana e Morinit mbetet problematike edhe për shkak se është rritur fluksi i lëvizjeve, ndërsa nuk kanë përfunduar ende punimet e doganës së re. E gjitha kjo po krijon pengesa në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.