Bie ndjeshëm kredia për ekonominë më 2017-n

Ndonëse ekonomia raportohet se ka një gjallërim dhe u rrit me gati 4% në tremujorin e parë të këtij viti, sistemi bankar nuk arrin të reflektojë këtë tendencë. Huaja për ekonominë, që është një tregues i financimeve që marrin bizneset për të investuar ose qarkulluar kapitalin dhe individët për të blerë pasuri të paluajtshme apo produkte konsumi, ka shënuar një rënie të fortë në muajin qershor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 543.5 miliardë lekë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2016. Vetëm në qershor, stoku i huasë u reduktua me 955 milionë lekë, në raport me muajin e mëparshëm, pasi ishte reduktuar ndjeshëm edhe në janar dhe prill. Në krahasim me dhjetorin 2016, stoku i huasë për ekonominë ka rënë me 0.7%. Me bazë vjetore (qershor 2017/qershor 2016), kredia e dhënë për ekonominë është reduktuar me 1.6%. Me bazë vjetore, e gjithë rënia është ndikuar nga tkurrja e stokut të huasë dhënë korporatave jo financiare në valutë, pra kryesisht huaja e dhënë në euro për bizneset, stoku i të cilës ka rënë me 26 miliardë lekë në raport me qershorin 2016, nga 8.9 miliardë lekë që ka rënë stoku në total i huasë për të njëjtën periudhë. Sistemi bankar është përfshirë në një proces të fshirjes së kredive që janë më shumë se tre vjet vonesë, që kanë reduktuar kryesisht në valutë. Kjo fshirje u reflektua dhe në uljen e treguesit të kredisë me probleme, që zbriti në 15.86% në muajin maj, larg nga niveli rekord i afërt 25% që arriti në mesin e vitit 2014. Rritjen më të lartë në vlerë absolute vitin e fundit e ka shënuar kredia për individë, me rreth 8.8 miliardë lekë më shumë apo zgjerim 8.7%, në raport me qershorin 2016. Kredia për bizneset në lekë ka shënuar një rritje më të moderuar me 6.4%. Banka e Shqipërisë njoftoi në vrojtimin e fundit se bankat vijuan të mbanin të shtrënguara standardet e kreditimit për bizneset, ndërsa i kanë liruar për individët. Këta të fundit kanë rezultuar kredimarrës më të mirë, teksa përqindja e kredive të tyre me probleme është gati tre herë më e ulët se e bizneseve.