Berisha motivon Atalantan

Në startin e edicionit të ri, Etrit Berisha projektohet drejt një tjetër sezoni si protagonist te Atalanta. Edhe prej paraqitjeve të shkëlqyera të portierit shqiptar, zikaltërit siguruan një vend në kupat e Euopës, ndërsa klubi vendosi ta blinte kartonin e 28-vjeçarit nga Lazio. “Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre. Edhe vitin e kaluar realizuam gjëra të mëdha. Më pëlqeu ekipi, qyteti dhe projekti që ka Atalanta për këtë vit dhe në vazhdim. Isha shumë i bindur për të qëndruar dhe jam i lumtur”, deklaroi portieri.
Garanci në fushën e lojës, “Titi” Berisha foli edhe si lider rreth sfidave të reja të Atalantës, ku më kryesorja është ngjeshja e kalendarit, me ekipin të angazhuar në Serinë A, Kupën e Italisë dhe në Europa League. Sipas portierit, skuadra ka vërtetë shumë ndeshje për të luajtur, por nuk duhet ta mendojë këtë fakt. “Fillimisht duhet të përgatisim ndeshjen e parë, sepse është e rëndësishme ta nisim mirë sezonin. Të jemi të përqendruar të bëjmë rezultat”, tha djaloshi nga Prishtina.
Etrit Berisha ishte një prej lojtarëve që shkëlqyen me Atalantën në miqësoren e parë ndërkombëtare, të fituar 1-0 përballë francezëve të Lille në trofeun “Bortolotti”. Një garanci në portë me pritjet e tij dhe në fund triumfi, sepse sipas gardianit bergameskët “dëshironin ta fitonin këtë trofe, edhe pse nuk ishte e thjeshtë, pasi Lilla ishte mjaft përpara me përgatitjet, duke qenë se e nis sezonin më shpejt”.
Testet e radhës për Atalantën dhe Berishën do të jenë ato ndaj Borussia Dortmund dhe Valencias, “ndeshje ndaj dy skuadrave të mëdha”, që sipas portierit i shërbejnë ekipit, sepse “ky do të jetë niveli i kundërshtarëve në Europa League”.