Demokratët, nesër votojnë Kryetarin

Nesër demokratët do të votojnë për të zgjedhur Kryetarin që do t’i udhëheqë për një mandat të ri 4-vjeçar. Pas një muaji fushatë të brendshme të shoqëruar me debate, kritika dhe replika, demokratët nesër do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Sfida për Kryetarin e ri nuk do të jetë e lehtë, ajo e shndërimit të PD në një parti fituese përmes bashkimit. Ringritja nuk do të jetë e lehtë, por rikthimi i shpirtit të demokratëve dhe beteja opozitare do të jenë armët kryesore për të rikthyer PD si forcën të shumicës së shqiptarëve.
Lulzim Basha bashkëbisedoi me demokratët e Tiranës në Njësinë 5, 10, 11, me demokratët e Cërrikut e Peqinit dhe të Kamzës mbi sfidën e demokratëve për t’u kthyer në fuqi numerike dhe politike të shqiptarëve. Basha tha se procesi i 25 qershorit legjitimoi kauzat e demokratëve të luftës kundër drogës dhe dekriminalizimit.
“Katër vjet betejë me një kundërshtar të bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me pushtetin, që nisi me luftën tonë për dekriminalizimin. Dhe ishin kriminelët në institucione që bashkë me Edi Ramën zhvilluan projektin politik të mbulimit të Shqipërisë me drogë. Politik sepse synonte të mbulonte dështimin e tij me ekonominë. Politik, sepse kishte vetëm një qëllim, të kapte proceset zgjedhore.
Por as procesi që i parapriu, por as vetë 25 qershori nuk ishin përplasje vizionesh dhe idesh. Njësoj si më ’91 vendimi nuk do të diktohej nga shpresa për të nesërmen, por nga frika, nga dëshpërimi, nga varfëria e thelluar që u ble me paratë e drogës”, tha Basha.
Ai tha se demokratët kanë moralin dhe vlerat për të kthyer shpresën tek shqiptarët.
“Të vetmit që u futën në betejë me moral, me shpresë, me vizion për të nesërmen dhe dolën me moral të pacenuar jemi ne demokratët.
Jemi ne që refuzuam të vendosim interesin e karriges dhe pushtetit tonë mbi interesin e qytetarëve. Dhe prandaj refuzuam dorën e shtrirë të krimit për bashkëpunim, këtu në Tiranë dhe në Durrës, Peqin dhe në Vlorë, Shkodër. Kthimi i kësaj force morale me të cilën hymë në betejë dhe dolëm nga beteja në një fuqi numerike dhe politike është tani sfida jonë.
Askush nuk e ka moralin përveç demokratëve, ne jemi të vetmit që kemi lindur për vlera, luftojmë për vlera, qëndrojmë për vlera dhe iu ofrojmë vlera shqiptarëve; vlerën e lirisë, vlerën e demokracisë, vlerën e ekonomisë së lirë, besimit në Zot, shprehjes së lirë, lirisë së shprehjes, lirisë së fjalës”, tha Basha.
Anëtarët e Partisë Demokratike do të jenë vendimmarrësit në vendosjen e përfaqësuesve të tyre, ndërsa çdo kontribut do të vlerësohet.
“Për mua ky mekanizëm kalon përmes parimeve të çadrës së lirisë, të Republikës së re ku iu thamë shqiptarëve që mbi të gjitha Republika e re është një raport i ri midis shtetit dhe qytetarit, se që këtej e tutje jo thjesht rekomandimet, por përcaktimet e përfaqësuesve për deputetë, për bashki dhe për këshilltarë bashkiakë, dhe çdo zyrë të zgjedhur publike apo brenda Partisë Demokratike duhet të vijnë me një anëtar një votë nga anëtarët e PD. Dhe se ky proces nënkupton në radhë të parë anëtarësinë reale dhe jo fiktive, aktive dhe jo pasive të Partisë Demokratike, si trupën vendimmarrëse. Kjo pra është sfida e brendshme, bashkimi i të gjithë demokratëve në bazë të kontributeve të çdo demokrati, vlerësimi i këtyre kontributeve nga anëtarësia e Partisë Demokratike”, tha Basha.