Basha: Rama, kampion i abuzimit me detyrën

Të dhënat e frikshme të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i PD, Lulzim Basha i cilësoi si dëshmi e faktit se Rama është kampioni i abuzimit me detyrën dhe pasuritë publike. “Raporti i sapobërë publik i Kontrollit të Lartë të Shtetit shpjegon në detaje se dëmi ekonomik i shkaktuar nga keqqeverisja dhe abuzimi vetëm në dogana, tatime dhe tendera është afro 600 milionë euro. Është tjetër tregues skandaloz i një qeverisje qëllimi i vetëm i së cilës është grabitja e parave dhe pasurive të vendit. Në shfaqjen e tij tragjikomike Edi Rama është duke bredhur në Shqipëri për t’ju kërkuar njerëzve të denoncojnë ata që abuzojnë me detyrën. Nëse e ka seriozisht le të marrë raportin e KLSH-së dhe të pushojë dhe ndjekë penalisht drejtuesit e doganave, tatimeve dhe prokurimeve, dhe ministrat e funksionarët e tjerë publikë që kanë shkaktuar këto dëme. Por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse në fakt Edi Rama është vetë shembulli dhe kampioni i abuzimit me detyrën dhe pasuritë publike për interesat e tij dhe klientëve të tij”.