Arrestohen 3 tatimorët, morën 400 mijë lekë

Tre punonjës të Tatimeve të Tiranës janë vënë në pranga nga policia, pasi akuzohen se kanë marrë një shumë prej 400 mijë lekësh të vjetra. Denoncimi është bërë administratorja e një biznesi në Spille të Kavajës dhe më pas është organizuar operacioni i koduar “TND”. Sipas policisë në pranga janë vënë Ermal Harizaj, 37 vjeç,  lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë. Ervin Pupuleku, 29 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë, dhe Arben Disha, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë.
Arrestimi i këtyre personave u bë, pasi, më datë 21.07.2017, ora 17:00, të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll, pranë një subjekti privat në Spille Kavajë, me administratore shtetasen A. M., duke shpërdoruar detyrën i kanë marrë administratores shumën prej 40 mijë lekë (të rinj).  Vijon puna për dokumentimin, nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën ndaj bizneseve.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 259 dhe 248 e 25 të Kodit Penal, për ndjekje dhe hetime të mëtejshme.
Policia e Shtetit u bën thirrje çdo sipërmarrjeje apo subjekti tregtar, që gjendet në kushte shtrënguese si pasojë e sjelljes abuzive të punonjësve të shtetit, të denoncojnë pa ngurrim dhe i siguron të gjithë për gatishmërinë për të reaguar në kohë reale e në mbështetje të çdo viktime të shpërdorimit të detyrës.