27 vjet zgjedhje në Partinë Demokratike

Dosier nga Mujë Buçpapaj

Hyrje
Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë po zhvillohen përmes një debati të fortë dhe kundërshtish të brendshme, të cilat pasuan humbjen poshtëruese të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017.
Fillimi i procesit dhe në vijim është dominuar nga pikëpamje të kundërta nëse Partia Demokratike duhet të niste një analizë të thelluar të humbjes në zgjedhje apo duhej të zgjidhte sa më shpejt kryetarin e saj. Sulmet dhe kritikat ndaj zotit Basha janë intensifikuar veçanërisht pas vendimit të tij për të mos dhënë dorëheqjen, por për “të ngrirë të gjitha funksionet e tij organizative”, si dhe marrë pjesë në garë për postin e kryetarit.
Meqenëse jemi duke përcjellë me kureshtje garën për kreun e ri të PD-së, do të ishte interesante për të parë se si janë zhvilluar konkurrencat brenda kësaj partie gjatë 27 vjetëve, prej kur është krijuar kjo parti me emrin e të cilës lidhen disa nga arritjet më të bujshme të shqiptarëve gjatë gjithë historisë së tyre moderne.

1.
Vërtet PDSH-ja është dominuar nga lideri karizmatik Sali Berisha, por gjatë dekadës së parë të kësaj partie, përpjekjet për ta spostuar apo zëvendësuar atë përmes zgjedhjeve të brendshme kanë qenë të forta dhe shpesh dramatike. Pas vitit 1999, edhe nga rivalët e Berishës është pranuar fakti se Berisha ishte i pakonkurrueshëm në PD dhe sfiduesit kanë qenë fillimisht thuajse formalë dhe pastaj në dy Kuvendet e fundit, ku ai u konfirmua si kryetar, nuk kanë pranuar as të garojnë.
Dihet se lideri i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, Azem Hajdari është edhe kryetari i parë i Partisë Demokratike. Prej 12 dhjetorit 1990 ai u quajt si kryetar i Komisonit Nismëtar të PD-së, sido që kishte atributetet e një kryetari në vendimmarrje dhe orientim politikash.
Studentët, përfshirë edhe Hajdarin, sido që kishin 7 anëtarë në Kryesinë provizore të PD-së, ata shiheshin si të papërgatitur për të çuar PD-në drejt fitores së shpejtë dhe natyrisht pa përvojën e duhur jetësore dhe profesionale, kështu që sytë hidheshin nga profesorët e zgjedhur nga studentët në Komisionin Nismëtar. Një pjesë e këtyre intelektualëve në fakt po tregonin padurim, teksa kishin planifikuar largimin e Hajdarit, i cili kishte krijuar prej ditëve të para të Lëvizjes së Dhjetorit 1990 profilin e një lideri të fortë, popullor dhe të guximshëm.
Kështu që gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 9 shkurt 1991 në mungesë të Hajdarit dhe Berishës, të cilët ishin në një takim që kishte organizuar presidenti komunist Alia me liderët e partive politike në vend, u organizua një mbledhje, e cila pati si përfundim heqjen e Azem Hajdarit si kryetar i PD-së.
Mbledhja zgjodhi përkohësisht kryetar Dr. Aleksandër Meksin, anëtar i Komisionit Nismëtar. Këto zgjedhje nuk u njohën pasi “mbledhja ishte organizuar në mënyrë jo formale”, si dhe se “nuk kishte kuorumin e duhur për të marrë një vendim të tillë”.
Demokratët e kundërshtuan këtë procedurë si të parregullt dhe më 13 shkurt 1991 do të mbahej aktivi i parë i Partisë Demokratike, i cili do të zgjidhte me votim të fshehtë një kryesi prej 19 anëtarësh. Pas këtij aktivi, Komisioni Nismëtar i PD-së do të shndërrohej në Komision Drejtues të kësaj partie.
Nga votimi i bërë një ditë më vonë në Kryesinë e re, Prof. Dr. Sali Berisha, një lider karizmatik i lëvizjes antikomuniste u zgjodh kryetar i Komitetit Drejtues të PD-së me 9 vota i mbështetur nga votat e tri anëtarëve të rinj të këtij forumi, Neritan Ceka, Rexhep Uka dhe Blerim Çela. Pas tij u renditën Aleksandër Meksi me 5 vota, Gramoz Pashko me 4 vota dhe Azem Hajdari vetëm me 1 votë.
Eduard Selami, profesor i Universitetit të Tiranës dhe bashkëthemelues i PD-së, u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i këtij komiteti. Ky organizëm kishte për detyrë të drejtonte partinë deri në mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në fund të shtatorit 1991.
Muajt në vijim ishin shumë dramatike për vendin. Zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe konfirmimi i papritur i PPSH-së, ngjarjet e 2 prillit në Shkodër, rëniet njëra pas tjetrës të qeverive Nano, si dhe prej qershorit 1991 qeveria e stabilitetit me pjesëmarrjen e PPSH-së dhe të PD-së, kishin krijuar një panoramë të re politike në vend, të paimagjinuar më parë.
Natyrisht që kompromisi PD-PPSH ishte një zgjidhje e vetme për ruajtjen e vendit nga shkitja në anarkinë totale, sido që aq dëshpëruese për demokratët që mezi prisnin të shihnin PPSH-në të dalë nga skena qeverisëse e vendit. Kështu që kishin filluar hapur presionet e bazës ndaj PD-së për të dalë nga qeveria e stabilitetit (qershor-dhjetor 1991). Berisha po i përkrahte këto mendime gjithnjë dhe më shumë, i bindur se nuk kishte rrugë tjetër për nxjerrjen e vendit nga kriza. Në kundërpërgjigje të këtij qëndrimi, në fshehtësi, klanet e majta në PD po planifikonin largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së.

2.
Para Kuvendit të parë të PDSH që do të mbahej më 26 shtator 1991, grupi i të majtëve në udhëheqjen e PD-së kishte organizuar edhe skenarin e zëvendësimit të Berishës me Cekën. “Ramiz Alia në prapaskenë po punonte që të bënte për vete kundërshtarët e Berishës në Kryesinë e PD-së, sidomos Pashkon, Cekën dhe Zogajn”. (E.Biberaj “Shqipëria në tranzicion”, faq.194). Berisha, që ishte figura më e padiskutueshme në PD, i mbështetur nga delegatët, studentët dhe ish-të dënuarit politikë, u zgjodh kryetar i PDSH me 499 vota pro, ndërsa rivalët e tij për këtë post Nertian Ceka dhe Azem Hajdari morën nga 77 dhe 7 vota. Të majtët kishin humbur përfundimisht betejën për të kontrolluar PD, ndërsa ishin akoma që të mos dilej nga qeveria e koalicionit.
Demokratët e braktisën përmes polemikash të brendshme qeverinë e stabilitetit të drejtuar nga socialisti Ylli Bufi dhe zëvendësi i tij, demokrati Gramoz Pashko, duke i imponuar Presidentit Alia caktimin e 22 marsit 1992 si ditë të zgjedhjeve të parakohshme. Kjo shihej si rrugë e vetme për të nxjerrë vendin nga kaosi dhe mjerimi total, si dhe siguruar një ndihmë të vërtetë ndërkombëtare, aq të domosdoshme për ekonominë e falimentuar shqiptare. Një qeveri teknike e drejtuar nga Vilson Ahmeti përgatiti zgjedhjet e 22 marsit, e cila do të mbetej si dita më e rëndësishme e historisë së re të Shqipërisë, pasi i dha fund shtetit komunist 50-vjeçar.
Në zgjedhjet e 22 marsit PD rezultoi të kishte fituar 92 vende ose 65.7%, PS 38 vende ose 27%, PSD 7 vende ose 5%, PBDNJ 2 vende ose 1.4%. PR nuk fitoi asnjë vend.
Më 3 prill 1992, Presidenti komunist Ramiz Alia njoftoi dorëheqjen, siç tha ai‚ “për të mirën e Atdheut”. Ishte e qartë se postin e Presidentit do ta zinte kreu i PD-së, Sali Berisha. Ai ishte provuar si një politikan i aftë dhe i vendosur për të çuar Shqipërinë përpara. Berisha, pa konkurrent, ishte bërë figura më popullore në vend. Më 9 prill 1992, me 96 vota pro dhe 35 kundër, Sali Berisha u zgjodh President i ri i vendit.
Më 10 prill, Berisha dekretoi Aleksandër Meksin të krijonte qeverinë e parë demokratike. Ndërkohë që në postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë ishte zgjedhur Pjetër Arbnori.

3.
Më 16 prill 1992, mbahet Konferenca Kombëtare e PD, e cila zgjedh në postin e kryetarit të partisë si pasardhës të Berishës, Eduard Selamin, deri atëherë sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. Selami mori 411 vota nga 485 gjithsej, ndërsa Azem Hajdari dhe Arben Imami, të dy kandidatë për kryetarë, u zgjodhën nënkryetarë të partisë.
Në Statutin e PD-së ishte sanksionuar që Kuvendi i partisë mbahej çdo dy vjet. Kështu që në Kuvendin e Dytë të PD-së të mbajtur më 4 dhjetor 1993 do të rizgjidhej në postin e kryetarit zoti Eduard Selami, sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Dr. Tritan Shehu, ndërsa nënkryetarë Ali Spahia dhe Engjëll Hysenbegasi.
Pas polemikave rreth njësimit të postit të kryetarit të partisë me atë të kryeministrit të vendit, i paraprirë nga diferenca qëndrimesh me Presidentin e vendit Sali Berisha, për sa i përket procedurave për miratimin e referendumit për Kushtetutën, i mbajtur në nëntor 1994 dhe humbjen dëshpëruese të  tij etj., Eduard Selami do të humbiste vendin e kryetarit të PD-së pas rreth tre vjetësh në krye të kësaj partie.
Një konferencë e jashtëzakonshme e PD-së e mbajtur më 5 mars 1995 do ta shkarkonte Selamin pas një procesi votimi të hapur. Plot 607 delegatë nga 664 gjithsej kishin votuar kundër tij. Nga ana e tij Eduard Selami e pranoi rezultatin. Ai vazhdoi të ishte anëtar i PD-së dhe kryetar i Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë edhe për dy vitet në vazhdim duke shmangur qartësisht një përçarje, e cila do ta dëmtonte Partinë Demokratike.
Partia deri në kuvendin e ardhshëm do të udhëhiqej nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Prof. Tritan Shehu i ardhur në këtë post, pas një karriere të shkëlqyer si mjek, në vitin 1993.

3.
Më 4-5 prill 1996 do të mbahej Kuvendi i Tretë zgjedhor i Partisë Demokratike. Forumi më i lartë demokrat mblidhej rreth 2 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 26 majit dhe në një atmosferë mjaft pozitive. Vendi kishte njohur përparime domethënëse realizuar me përkushtim nga demokratët nëpërmjet reformave rrënjësore dhe të gjithanshme. PD priste me të drejtë të konfirmohej për një mandat tjetër qeverisës, sido që socialistët nga ana e tyre kishin bërë plane të tjera.
Kuvendi zgjodhi kryetar të PD-së, Prof. Tritan Shehu pas një gare me sekretarin e Marrëdhënieve me Publikun, Ferdinand  Xhaferri, ndërkohë që sekretar i Përgjithshëm do të zgjidhej profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dr. Besnik Gjongecaj, i cili pas zgjedhjeve të 26 majit të atij viti do të emërohej ministër i Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
Siç dihet PS nuk do t’i njihte zgjedhjet, të cilat i kishte braktisur disa orë para mbylljes së kutive të votimit. Qeveria demokratike e gjendur përballë kritikave të forta ndërkombëtare dhe bojkotit të Parlamentit nga opozita e majtë, dukej të kishte shumë vështirësi përpara. Pas disa muajsh qetësi, situata do të ndryshonte radikalisht me shembjen e skemave mashtruese piramidale, përfshirjes së vendit në trazira të armatosura, largimit me dhunë të qeverisë legjitime Meksi, sundimit të komiteteve rebele kryesisht në jug të vendit, shpërbërjes së forcave të rendit dhe atyre të armatosura, që patën për pasojë daljen e situatës nga kontrolli, si dhe ardhjen e forcave shumëkombëshe për të rivënë rendin deri në zgjedhjet e qershorit të atij viti.
PD i humbi thellë zgjedhjet e parakohshme të 28 qershorit 1997. Thuajse në 40% të territorit të vendit ajo nuk pati mundësi të bënte fushatë, për shkak se selitë e saj ishin djegur, ndërsa drejtuesit i saj ose ishin kërcënuar dhe larguar për shkaqe sigurie ose ishin ekzekutuar. Megjithatë PD do të mund të fitonte rreth 30% të votave, falë besnikërisë së elektoratit të saj dhe guximit të qindra komisionerëve dhe drejtuesve demokratë në ato qendra ku u numëruan votat.
Sali Berisha kishte dhënë dorëheqjen nga posti i Presidentit të vendit më 31 korrik 1997, duke shkuar në PD për ta ringritur sërishmi në këmbë. Në fakt, siç konsiderohej atëherë, PD nuk kishte asnjë mundësi tjetër për t’u rikthyer në skenë përveç grumbullimit të saj rreth ish-presidentit Berisha, i cili shihej si e vetmja pengesë e pakalueshme për socialistët. Dhe kjo do të provohej qartë në vitet në vijim.

4.
Më 20-21 tetor 1997 u mbajt Kuvendi i Katërt zgjedhor i Partisë Demokratike, i cili u zhvillua në një atmosferë të rëndë politike. Qindra anëtarë dhe drejtues të saj ishin ekzekutuar, përfshirë edhe plagosjen e Azem Hajdarit në Kuvend, por edhe autorin e këtyre radhëve nga bandat e komiteteve të veshura me uniformën e policisë, administrata ishte spastruar masivisht për motive politike, po kështu edhe gjykatat, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, shtypi i djathtë nuk lejohej të shpërndahej thuajse në 80% të territorit të vendit, televizoni shtetëror e kishte bojkotuar totalisht opozitën, ndërsa PD-së do t’i duhej të luftonte për të mos t’u zhdukur edhe fizikisht.
Në një garë me ish-kryetarin e Parlamentit Pjetër Arbnori, Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD-së, ndërsa Genc Pollo deri atëherë këshilltar i tij u zgjodh në postin e nënkryetarit të partisë, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode u zgjodh sekretar i Përgjithshëm.

5.
Më 17 korrik 1999 u mbajt Kuvendi i Pestë i posaçëm i PD-së (jo zgjedhor). Ky Kuvend vendosi futjen e PD-së në Parlament, i cili ishte bojkotuar pas ekzekutimit nga struktura të Policisë së Shtetit të themeluesit të PD-së, Azem Hajdari më 12 shtator 1998, para selisë së kësaj partie.

6.
Prej 30 shtatorit deri më 1 tetor të vitit 1999 u mbajt Kuvendi i Gjashtë zgjedhor i Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së Berisha, i cili ndodhej thuajse në një rrethim ndërkombëtar, u sfidua nga nënkryetari i kësaj partie Genc Pollo, siç u tha atëherë i nxitur nga ky faktor për ta larguar Berishën nga politika.
Pollo nuk pranoi ta zhvillonte garën deri në fund. Një ditë para mbajtjes së Kuvendit, ai njoftoi moskandidimin e tij, siç tha ai “për mospërmbushje të kushteve të garës”. Në këto rrethana zgjidhja u gjet me futjen në garë të Uran Butkës, anëtar i Kryesisë së PD-së. Butka, ish-i persekutuar politik dhe pinjoll i një familje të shquar nacionaliste, pati deklaruar në Kuvend se ishte në garë më shumë për të plotësuar kushtin e garimit me dy rivalë se sa për ambicien e fitimit të vendit të kryetarit të PD-së.
Pavarësisht dorëheqjes nga gara për kreun e PD-së, Pollo mori pjesë në Kuvend ku kërkoi që të zgjidhej anëtar i Këshillit Kombëtar, gjë që nuk rezultoi të kishte sukses. Pas humbjes së garës, siç tha ai “të pabarabartë”, në nëntor të vitit 1999 Pollo u largua nga PD-ja duke krijuar Partinë Demokratike të Re, e cila në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001 do të fitonte 5 deputetë.
Nga ky Kuvend përpos Prof. Berishës kryetar u zgjodhën Jozefina Topalli nënkryetare, Jemin Gjana nënkryetar dhe Ridvan Bode sekretar i Përgjithshëm.
Më 15-16 dhjetor 2001 u zhvillua Kuvendi i Shtatë zgjedhor i Partisë Demokratike. Kongresi u mbajt pas manipulimit të rëndë të zgjedhjeve të përgjithshme të 24 qershorit të vitit 2001, e reflektuar kjo edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR dhe në një rezolutë të KE-së. Në këtë Kuvend Sali Berisha u sfidua nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi, një figurë mjaft popullore e PD-së dhe e të djathtës shqiptare.
Gara u shoqërua me paraqitjen e programeve nga të dy kandidatët. Berisha u përqendrua kryesisht tek rrugët e rikthimit të shpejtë të PD-së në pushtet, si dhe paraqitjes së një programi për qeverisjen e ardhshme, ndërsa Meksi prezantoi një listë reformash që kishin si qëllim demokratizimin e partisë.
Zoti Meksi paraqiti disa ide të rëndësishme, një pjesë të të cilave PD i përshtati rreth 10-13 vjet më vonë, siç ishte instalimi i parimit një anëtar një votë dhe po debaton sot për institucionalizimin e mendimit ndryshe, përfaqësimin e pakicës në forume dhe vendimmarrje, kandidimi individual, etj.
Platforma e ish-kryeministrit demokrat, e cila ishte botuar edhe në gazetën “RD”, nuk fitoi dhe zoti Meksi dha dorëheqjen nga kandidimi për postin e kryetarit me pretedimin se “nuk i kishin krijuar lehtësi proceduriale për zhvillimin e fushatës”.
Kryesia që doli nga ky Kuvend ishte: Sali Berisha kryetar, Bamir Topi nënkryetar, Jozefina Topalli nënkryetare, Ridvan Bode sekretar i Përgjithshëm, Sokol Olldashi zgjidhet për herë të parë sekretar për Organizatat Partnere.
Partia Demokratike e ndihmuar nga ndërkombëtarët do t’i impononte PS-së, marrjen e postit të kryetarit të shtetit në vitin 2002. Një rezolutë e Parlamentit Europian, e cila e njihte manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2001 nga qeveria socialiste në rreth 40 mandate, i afroi PD-së të zgjidhte mes dy alternativash: zgjedhje të parakohshme ose marrjen si kompensim të postit të Presidentit të Republikës. Partia Demokratike tha se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në kushtet kur garancitë zgjedhore, vetëm sa ishin përkeqësuar, nuk do të sillte ndonjë ndryshim dhe zgjodhi të merrte postin e kreut të shtetit duke propozuar për atë post gjeneralin në pension, Alfred Moisiu, ndërsa dukej qartë se në zgjedhjet e radhës do të ishin në favor të PD-së dhe opozitës së djathtë.

7.
Më 23-24 prill 2005  do të mbahej Kuvendi i Tetë i Partisë Demokratike.
Në këtë Kuvend zoti Berisha u zgjodh pa konkurrentë, pasi PD mendonte se do të ishte vetëm një formalitet i panevojshëm vendosja e çdo figure tjetër përballë liderit historik të kësaj partie.
Kryesia që doli nga ky Kuvend ishte: Sali Berisha kryetar, Bamir Topi nënkryetar, Jozefina Topalli nënkryetare, Ridvan Bode sekretar i Përgjithshëm, ndërsa për herë të parë zoti Lulzim Basha zgjidhet anëtar i Kryesisë së kësaj partie.
PD do të rikthehej bindshëm në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005. Katër vitet e qeverisjes së saj (2005-2009) u konsideruan si një pikë kthese në historinë e vendit, tashmë anëtar i NATO-s. Pavarësisht se nuk u përmbush pritshmëria e demokratëve në zgjedhjet e qershorit 2009, PD dhe aleatët e saj arritën të merrnin 70 vende në Parlament, por pas një koalicioni legjitim me LSI, Partia Demokratike kishte siguruar edhe një mandat tjetër qeverisës. Kjo atmosferë pozitive, por edhe vetëkënaqësie, reflektohet edhe në kongresin e radhës të demokratëve.
Më 14 dhjetor 2009 mbahet Kuvendi i Nëntë i Partisë Demokratike.
Kryesia që doli nga ky Kuvend ishte: Sali Berisha kryetar, Jozefina Topalli nënkryetare, Astrit Patozi nënkryetar, Ridvan Bode sekretar i Përgjithshëm. Gjatë katër viteve në vazhdim mbizotëroi prirja për të ndërtuar një parti elektorale të tipit amerikan, ndërkohë që strukturat partiake u mënjanuan dhe u lanë në harresë. Kjo apati, shkëputje nga anëtarësia, si dhe mosveprim, pati shumë ndikim në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ku ingranazhet elektorale të një gjiganti politik si PD-ja nuk funksionuan si duhet. Humbja e këtyre zgjedhjeve çoi në dorëheqjen e liderit demokrat, Sali Berisha nga kreu i PD-së, i cili si kryeministër kishte realizuar anëtarësimin e vendit në NATO, nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me BE-në, kishte përmbushur të gjitha kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për Unionin Europian, si dhe falë reformash të mëdha dhe komplekse, kishte arritur heqjen e regjimit të vizave për çdo qytetar shqiptar me vendet e Bashkimit Europian, duke ruajtur ekonominë shqiptare në parametra pozitivë, pavarësisht krizës rajonale. Përpos të tjerash ai organizoi zgjedhjet më të mira të mbajtura në historinë e pluralizmit politik shqiptar, duke arritur standardet më të larta ndërkombëtare.

Aplikimi i parimit “Një anëtar, një votë”

(22 korrik 2013, Basha zgjidhet kryetar i PD-së)
Largimi i liderit historik të PD-së, Sali Berisha hapi garën për pasardhësin e tij në këtë parti. Anëtari i Kryesisë së PD-së dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha shpalli kandidaturën e tij për kreun e PD-së. Pas tij, Sokol Olldashi, ish-ministër i Transporteve dhe anëtar i Kryesisë së kësaj partie, njoftoi nisjen e garës për këtë post. Partia Demokratike aplikoi për herë të parë parimin një anëtar një votë për zgjedhjen e kryetarit të saj.
Në fund të procesit të numërimit të votave, KQZ i Partisë Demokratike tha se Lulzim Basha ishte zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike me rreth 80.39% të votave. Për kandidatin tjetër Sokol Olldashi u numëruan 19.61% të votave. Sipas tabelave përfundimtare të numërimit të votave, diferenca mes Bashës dhe Olldashit është 24 474 vota. U numëruan rreth 41 mijë e 360 fletë votimi.
Kandidati humbës Sokol Olldashi tha se kishte konstatuar mangësi gjatë procesit. E para sipas tij “është ekzistenca e një numri serial në fletën e votimit, çka mesa duket e bën lehtësisht të identifikueshëm votën e anëtarit”. Ai deklaroi para gazetarëve se shumë anëtarë nuk votuan dot, duke hedhur dyshime mbi listën e Tiranës.
“U shpreh mirënjohjen time të gjithë demokratëve që morën pjesë në votim. U kërkoj ndjesë atyre mijëra demokratëve që nuk votuan dot, sepse nuk gjetën emrin në listë. Ky është një problem, përmasën e të cilit e kam patur të panjohur, pasi, për asnjë moment nuk pata në dispozicion listën e votuesve. Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontigjent. Mesa duket paska qenë një kontigjent tjetër, që mbetet për t’u parë ç’është”, u shpreh Olldashi.
Ai duke aluduar për mbështetjen që kryeministri në detyrë dhe kryetari i dorëhequr, Sali Berisha i kishte dhënë Bashës për të fituar garën për kreun e partisë, Olldashi me ironi tha se kishte konstatuar se nuk kishte pasur vetëm një rival përballë tij, por disa. “U uroj suksese të gjithë kandidatëve rivalë”, deklaroi Olldashi në prononcimin e tij për shtyp pas votimit në selinë e PD-së.

(Kuvendi i Dhjetë i PD-së, 27-28 shtator 2014)
Kuvendi i Dhjetë i PD-së, u mbajt më 27-28 shtator 2014. Kryetari i ri i kësaj partie Lulzim Basha prezantoi strategjinë e opozitës, për rimëkëmbjen e saj pas humbjes dërrmuese të zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013 dhe rikthimin në pushtet. Rreth 7500 delegatët e kuvendit votuan në një listë me 300 kandidatë për 150 anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar, si dhe ndryshimet në statut, ku nuk sanksionohej qartë largimi i kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve. Ndërkohë që zgjeroheshin së tepërmi kompetencat e kryetarit të Partisë Demokratike.
Basha ndërsa foli për një fillim të ri, tha se nuk do të sillte thyerje në linjën politike të Partisë Demokratike, si dhe do të respektonte traditën e krijuar deri më tani.
Pas këtij kuvendi Partia Demokratike do të zgjidhte nënkryetarët e sekretarët, të cilët qysh prej prillit të 2005, nuk i kishte rizgjedhur. Basha deklaroi në fund të kuvendit se ai do të jetë kryetari, i cili merr përgjegjësinë për fitoren dhe humbjen në zgjedhjet, ku do të ketë autoritetin e vet dhe të drejtat e tij.

Dinamika e përballjes Basha-Selami

(22 korrik 2017, Basha dhe Selami garojnë për kryetar të Partisë Demokratike)
Partia Demokratike është e përfshirë në fushatën më të debatueshme për zgjedhjen e kryetarit të saj qysh prej themelimit në dhjetor 1990. Zgjedhjet e rregullta të parashikuara për t’u mbajtur më 22 korrik 2017, morën një kthesë dramatike pas humbjes zhgënjyese të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.
Një numër i lartë i anëtarëve të Kryesisë së PD-së, ish-drejtues, deputetë dhe funksionarë të lartë të kësaj partie, nëpërmjet peticioneve, si dhe deklaratave publike kërkuan dorëheqjen e parevokueshme të zotit Basha nga posti i kryetarit të PD-së, një kërkesë që më vonë u reduktua në dorëheqje reale nga posti i kryetarit dhe garimi si një anëtar i thjeshtë, pa përdorur resurset, ndikimin dhe infrastrukturën e kryetarit. Basha refuzoi të jepte dorëheqje të parevokueshme, por iu përgjigj zërave kundër në parti duke shpallur “ngrirjen e funksioneve organizative në parti”, një masë kjo e vlerësuar nga zërat kundër si jo statutore dhe e paprecedentë.
Përmes kritikave që erdhën gjithnjë duke u shtuar, përfshirë edhe shtyrjen e datës së mbajtjes së zgjedhjeve për postin e kryetarit, Basha e shpalli kandidimin për postin e kryetarit, duke premtuar se do të garojë me projektin e tij, për të mbajtur drejtimin e partisë dhe ringritjen e opozitës.
Në garën e 22 korrikut, zyrtarisht konkurrojnë Lulzim Basha dhe ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, ndërsa ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi pasi shpalli kandidaturën për kreun e PD-së, ku deklaroi më vonë dorëheqjen për shkak të moskrijimit të kushteve për një garë të ndershme dhe të vërtetë.
Siç dihet Patozi e kishte kushtëzuar marrjen pjesë në garë me plotësimin e një sërë kushtesh, ndër të cilët e para është “dorëheqja e menjëhershme dhe jo ‘ngrirja’ e kryetarit Lulzim Basha si përgjegjësin kryesor të rezultatit zhgënjyes në këto zgjedhje. Vendosjen e tij në pozitën e çdo kandidati tjetër që do të futet në garë si kushti më minimal për paritet. Largimin e tij nga zyra, së bashku me stafin e vet dhe çlirimin e selisë nga prania e të gjithë kandidatëve, derisa të përfundojë procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD”. Zoti Patozi ka kërkuar gjithashtu “listën e anëtarëve të partisë, normalizimin statutor të procesit të garës duke bërë nul veprimet e deritanishme jo legjitime përmes vendimit të dy nënkryetarëve”, të cilët u autorizuan nga zoti Basha për organizimin e procesit zgjedhor brenda PD-së.
Lulzim Basha gjatë kësaj gare ka përjetuar ditët më të këqija të tij në PD. I etiketuar si përgjegjësi kryesor për humbjen e demokratëve dhe opozitës në këto zgjedhje, ai ka gjetur shkaqet më shumë tek manipulimi i zgjedhjeve, blerja e votave nga paratë e drogës dhe trafiqeve, si dhe tek presioni qeveritar, se sa tek politikat e tij të drejtimit të partisë, tek anashkalimi i strukturave drejtuese etj. Ai ka deklaruar se kishte nxjerrë mësime nga gabimet dhe se i kishte të gjitha fuqitë dhe përvojën për të punuar për ringritjen e PD-së dhe demokratizimin e saj.
Eduard Selami, i cili nuk bënte pjesë në asnjërin prej grupeve të politikanëve që firmosën kërkesat për dorëheqjen e Bashës, hyri në këtë garë i paragjykuar nga të gjitha palët. Njerëzit afër Bashës u kujdesën t’i kujtonin atij angazhimin e vakët në Parlament dhe mospjesëmarrjen e fortë në zgjedhje. Nga ana tjetër kritikët e ashpër ndaj Bashës e fajësuan atë se po legjitimonte një garë farsë dhe të paracaktuar.
Selami ju përgjigj këtyre kritikave se PD mund të bëhet më e mirë nga brenda dhe se platforma e tij mund ta shndërronte PD-në dhe Shqipërinë në një histori suksesi. Ai gjatë fushatës ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj mënyrës se si Basha ka drejtuar partinë, duke konstatuar se, “PD aktualisht është shumë më pak demokratike se sa kur e mori Basha katër vjet më parë, më 2013”.
Selami ka paraqitur një plaformë të besueshme për ringritjen e PD-së, duke apeluar se “së bashku do të vijmë në pushtet”. Ai ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ka fuqinë, moralin dhe mbështetjen ndërkombëtare, për t’i bashkuar demokratët përmes hapjes së PD-së, dëgjimit të mendimit ndryshe, lejimit të fraksioneve apo institucionalizimit të tyre bazuar në përvojën ndërkombëtare, si dhe dhënies fund të kryetarëve të përjetshëm, duke futur në statut, siç thotë ai: “kush humbet zgjedhjet kombëtare duhet larguar”. Selami, një themelues i PD dhe drejtues i saj në vitet më të suksesshme, njihet për mendimin e tij të pavarur dhe si një luftëtar parimor brenda PD-së, ai vlerëson se PD duhet t’u japë fund politikave personale dhe historive me kryetar të përjetshëm. Ai beson se futja e parimit të meritokracisë dhe mbështetjes tek baza e vërtetë e të djathtës, mund ta kthejë PD në një forcë të vlerësuar për të gjithë. Përndryshe gjërat sipas tij do të përkeqësohen akoma më shumë.