103 mijë demokratë zgjedhin Kryetarin

103 mijë demokratë do të votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e ri të Partisë Demokratike mes dy kandidatëve në garë, Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit. Komisioni i Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike njoftoi se përfundoi procesi i shpërndarjes dhe marrjes në dorëzim të materialeve zgjedhore në 73 komisionet e ngritura në gjithë vendin, për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Materialet zgjedhore u morën në dorëzim nga përfaqësuesit e kandidatëve dhe drejtuesve të komisioneve. Gjithçka është gati për procesin e votimit që nis sot në orën 8 dhe mbyllet në orën 19.00.  Për herë të parë, gara për kreun e PD solli risinë e përballjes mes dy kandidatëve dhe konfrontimin e programeve të tyre ashtu si edhe vizionin për drejtimin e PD në katër vitet e ardhshme. Dy kandidatët janë shfaqur përballë njëri-tjetrit në shumë qytete të vendit, ku kanë shkëmbyer pikëpamje, por edhe replika mbi ringritjen e Partisë Demokratike dhe rikthimin e fuqishëm të saj në pushtet. Gara reale e dy kandidatëve përfshiu në takime gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike në bazë nga Veriu në Jug të vendit. Fushata është unike në llojin e saj, pasi ringritja e Partisë Demokratike po kalon përmes debatit dhe alternativave që pasqyrojnë dy kandidatët. Organizmat e PD kanë marrë të gjitha masat për një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të Partisë Demokratike. Jemin Gjana, kreu i Komisionit Zgjedhor të PD-së ka folur për detajet, komisionet e votimit, listat dhe gjithë procesin. Ai tha se janë përcaktuar komisionet duke dhënë numra konkretë të votuesve demokratë. Gjana gjithashtu pohoi se janë dhënë udhëzimet për çdo degë dhe se materialet u shpërndanë më 21 korrik. “Është përcaktuar përbërja e 73 komisioneve të votimit. Ka 5 komisione votimi më shumë se numri i degëve për arsye se 5 degë të PD-së për efekt të numrit të madh të anëtarësisë do të kenë nga dy komisione. Kanë nga 73 përfaqësues të propozuar nga kandidatët në garë. Regjistri elektronik përmban 103 mijë. Janë shtuar 1500 anëtarë në listat shtesë nga persona që janë paraqitur me karta anëtarësie, por që nuk i kishin përditësuar. Janë shtuar 112 anëtarë në 5 degë të PD-së. Janë hequr nga regjistri elektronik 607 anëtarë që kanë kaluar nga subjekte të tjera politike ilegalisht”, deklaroi Gjana. Gjana u shpreh se listat e anëtarësisë nuk mund të bëhen publike në faqen elektronike për shkak se shkelet ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai theksoi se për të gjitha këto të dhëna ka dokumente zyrtare që gjenden në arkivin e PD-së. “Në listën përfundimtare të votimit janë të përfshirë dhe 3 kategori anëtarësh. Janë anëtarë të degëve të PD-së në Selanik, Romë, Londër etj. Janë regjistruar nga 2014 online si të tillë dhe disa mijëra anëtarë të larguar në emigracion 3 vitet e fundit. Janë rreth 23 mijë anëtarë. Do të mbeten në listat e PD-së pavarësisht mundësive për të qenë pjesë e proceseve në parti”, deklaroi Gjana. “Anëtarët e PD janë të ftuar të gjithë që të vijnë dhe të votojnë. Procesi do të jetë korrekt, numërimi përpara mediave, pra i gjithë procesi do të jetë transparent. Numërimi do të bëhet në selinë qendrore të PD. Kjo s’është e përcaktuar në statut. E para është precedenti i 2013-ës, por atëherë kishim një seli të vogël dhe numërimi është bërë te Pallati i Kongreseve, sot selia ka hapësirë të konsiderueshme. Prandaj, mëngjesin e datës 23 do të kemi kryetarin e ri të PD. Do të numërohet gjithë natën”, u shpreh Jemin Gjana. Ai dha përgjigje për disa nga shqetësimet e Selamit dhe të kritikëve të Lulzim Bashës, lidhur me listën e anëtarësisë dhe votuesve më 22 korrik. “Sigurisht që jam njohur me shqetësimin e Selamit për listat. Listat janë transparente dhe janë të publikuara brenda strukturave të PD. Që në fillim, sapo kemi krijuar komisionin, lista iu është shpërndarë të 68 degëve të PD në gjithë vendin”, ka bërë të ditur Gjana.

Numërimi i votave do të bëhet në selinë qendrore të PD

Në selinë qendrore do të ngrihet qendra e degës nr. 2, ku do të votojnë përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Deputetët e rinj kanë të drejtë të votojnë dhe në vendet ku ata janë me banim. Në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që e miraton kryesia e degës, kryetar do të jetë një nga n/kryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat. Numërimi i kutive do të bëhet në selinë qendrore të PD, në Tiranë. “Votimi do të ketë të gjitha kriteret e votimit në Shqipëri për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale, me të njëjtat kritere si ato që parashikon Kodi Zgjedhor me kodet, si mbyllet kutia, me votat e pavlefshme, pra të gjitha”.

73 qendrat e votimit ku do të votojnë sot demokratët

Gazeta zbardh sot listën me degët e PD ku të shtunën e 22 korrikut anëtarësia e Partisë Demokratike do të votojë për të zgjedhur kryetarin e PD.
Komisioni ka vendosur që kryesitë e degëve të PD në rrethe janë përgjegjëse për organizimin e votimit që do të zhvillohet më 22 korrik. Çdo degë ka një qendër votimi. Në selinë qendrore do të ngrihet qendra e degës nr. 2, ku do të votojnë përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Deputetët e rinj kanë të drejtë të votojnë dhe në vendet ku ata janë me banim. Në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që e miraton kryesia e degës, kryetar do të jetë një nga n/kryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat.
Statuti i PDSH dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, si dhe organizmat e PDSH garantojnë garë të ndershme, të drejtë dhe të barabartë për këdo që dëshiron të kandidojë.
Që nga data 28.06.2017 në PDSH nuk ka patur dhe nuk do të ketë anëtarësime të reja derisa të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryetarit të saj.
Listat e anëtarësisë administrohen sipas Statutit dhe rregullave të përmendura më sipër. Çdo degë e PDSH ku do të votohet për Kryetarin e PDSH do të marrë në avancë në përputhje me vendimin e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale kopje të listës së anëtarësisë të degës së saj, të cilën ajo e disponon edhe në degë. Listat e votimit sipas përcaktimeve në Statut do të administrohen nga Komisioni i Votimit, i cili kryesohet nga kryetari ose sekretari i degës dhe anëtarë të tjerë që i zgjedh Kryesia e Degës. Çdo kandidat do të ketë vëzhgues në çdo komision votimi.
Çdo degë e PDSH administron databazën e anëtarësisë së saj. Çdo ndryshim në databazën në qendër bëhet vetëm me kërkesën zyrtare të degës shoqëruar me dokumentacionin e plotë të anëtarit që shtohet apo largohet.

Dega                    Vendi i votimit

Belsh                         Ambient Privat Bardhul Tafani
Berat                         Selia e Degës
Bulqizë                 Selia e PD Bulqizë
Cërrik                           Ish-Zyra Elektorale, lokali i Sami Shtylla
Delvinë                 Hasan Alizoti
Devoll                       Qendra Kulturore e Fëmijëve Bilisht
Dibër                         Pallati Kulturës
Durrës                  Pallati i Kulturës
Elbasan                Teatri “Skampa”
Fier                            Holli i Kinoteatrit Fier
Fushë                        Krujë Selia e Degës
Gjirokastër         Kinoteatri “Zihni Sako”
Gramsh                Selia e Degës
Has                            Selia e Degës
Himarë                 Pranë shkollës 9-vjeçare Himarë
Kamëz                      Pallati i Kulturës
Kavajë                          Qendra Kulturore ” Aleksandër Moisiu”
Këlcyrë                 Lokal Elton Ademi
Kolonjë                 Selia e Degës
Korçë                        Selia e Degës
Krujë                         Selia e Degës
Kuçovë                Selia e Degës
Kukës                        Pallati Kulturës “Hasan Prishtina”
Kurbin                  Pallati Kulturës Laç
Lezhë                        Pallati i Kulturës
Librazhd              Selia e Degës
Lushnje                Selia e Degës
Malësi e Madhe         Selia e Degës
Maliq                         Selia e Degës
Mallakastër         Pallati Kulturës, Ballsh
Mat                            Selia e Degës
Memaliaj             Selia e Degës
Mirditë                 Pallati Kulturës
Paskuqan            Selia e Degës
Patos                         Pallati i Kulturës
Peqin                        Selia e Degës
Përmet                Qendra Multikulturore (Shtëpia e Kulturës)
Pogradec             Pallati i Kulturës
Poliçan                 Zyra elektorale, Bulevardi Kryesor
Prrenjas               Selia e Degës
Pukë                          Selia e Degës
Roskovec             Selia e Degës
Rrogozhinë         Kinemaja
Sarandë               Selia e Degës
Selenicë                  Fshati Peshkpi, Ambient Privat Daver Kuci
Shijak                        Pallati i Kulturës
Shkodër               Selia e Degës
Skrapar                Selia e Degës
Tepelenë             Selia e Degës
Tirana 1               Selia e Degës
Tirana 10            Selia e Degës
Tirana 11            Selia e Degës
Tirana 12            Selia e Degës
Tirana 13            Selia e Degës
Tirana 14            Ambient privat në Tufinë
Tirana 2               Selia Qendrore e PDSH-së
Tirana 3               Selia e Degës
Tirana 4               Selia e Degës
Tirana 5               Zyra elektorale, pll Fratari, rr. Ismail Qemali
Tirana 6               Selia e Degës
Tirana 7               Selia e Degës
Tirana 8               Selia e Degës
Tirana 9               Selia e Degës
Tropojë                Muzeu Historik
Ura Vajgurore         Selia e Degës
Vau Dejës                    Lokali “Armando”, Stajkë, Nj.A Bushat
Vlorë                           Pallati Labëria
Vorë                             Ish-Zyra Elektorale, Rr. Rinia Qendër Vorë
Këshilli Kombëtar        Selia Qendrore e PDSH-së
Kryesia e PDSH        Selia Qendrore e PDSH-së
Deputetët ekzistues        Selia Qendrore e PDSH-së
Deputetët e rinj        Selia Qendrore e PDSH-së