Mësuesit humbasin një pjesë të kompensimit për distancë

Menjëherë pas vendimit për rritjen e pagave në prill, një vendim tjetër qeverie ka ulur masën e kompensimit të arsimtarëve që punojnë në distancë nga vendbanimi, gjë që efektivisht u ka rrëmbyer një pjesë të mësuesve, një të tretën e rritjes së pagës. Qeveria shqiptare vendosi rritjen e pagave të mësuesve me 3,500 lekë në fillim të prillit, por një vendim i dytë i qeverisë ka sjellë uljen e përfitimit real për atë pjesë të mësuesve, të cilët punojnë në distancë nga vendbanimi dhe që për rrjedhojë përfitojnë një kompensim modest për koston e transportit. Mësuesit përfitonin 2,700 lekë kompensim në muaj në rastet kur vendi i punës që më larg se 5 kilometra nga vendi i banimit, por qeveria e rishikoi këtë masë kompensimi duke e ulur atë në vetëm 1 mijë lekë. Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 398, detajoi masën e përfitimit sipas distancës duke përcaktuar masa të reja kompensimi për distancat nga 5 në 10 kilometra dhe nga 10 në 20 kilometra, ndërkohë që vendimi i mëparshëm përcaktonte një masë kompensimi prej 2,700 lekësh për distancën mbi 5 kilometra. Vendimi i ri përcakton masë kompensimi 1 mijë lekë në muaj për distancën 5 deri në 10 kilometra, 1,500 lekë në muaj për distancën 10-20 kilometra dhe 2,700 lekë në muaj për distancën mbi 20 kilometra. Mësuesit më të prekur nga ky rishikim janë ata që punojnë në zonat rurale. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nuk iu përgjigj kërkesave të “BIRN” për koment. Vendimi i ri pritet të zbatohet nga 1 korriku 2017.