Yee: SHBA distancohet nga politikat e Sorosit në Ballkan

Shtetet e Bashkuara janë distancuar zyrtarisht nga politikat e Sorosit në Ballkan duke u shprehur se ata tentojnë që me vetiniciativë të bëhen pjesë e politikës që SHBA ndjek në Ballkan. Kjo është hera e parë që Departamenti i Shtetit detyrohet të reagojë zyrtarisht në lidhje me qëndrimet mbi rolin e Sorosit në Ballkan. Përgjigjja ka ardhur pas një sërë shqetësimesh që janë ngritur nga kongresmenë dhe senatorë mbi rolin e Sorosit në rajon. Sipas Yee, Shtetet e Bashkuara nuk ndikohen nga Soros, por Soros tenton t’i bëhet mbështetje politikave që SHBA ndjek në rajon.
Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit i është përgjigjur edhe pyetjes në lidhje me financimet që ka marrë Soros.
Zv.ndihmësekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee ka deklaruar në seancë të posaçme dëgjimore në Kongres se Soros është mbështetur financiarisht nga fondet e Shteteve të Bashkuara për rolin e tij në Ballkan, por ka shtuar se ai është vetëm një prej përfituesve të tjerë.
“Hoyt Yee ka bërë të qartë edhe një herë që fondacioni Soros është një nga shumë organizatat që SHBA i ka mbështetur. Spekulimet se SHBA-të interesat e tyre i pëcjellin me ndihmën e organizatave si ajo e Sorosit ai i hodhi poshtë ashpër duke bërë të qartë se ‘organizatat si Sorosi tentojnë me vetiniciativë të bëhen pjesë e politikës që ndjek SHBA-ja në Ballkan’”.
Hoyt Yee potencon edhe një herë se “rajoni në tërësi është ekonomikisht i dobët dhe politikisht i paqëndrueshëm. Pa ndihmën tonë dhe të Bashkimit Europian në proceset e reformave, ka rrezik konkret për konflikte të reja”, thotë “Deutsche Welle”.
Njëzëshëm në takim u fol për rëndësinë strategjike që ka Ballkani në politikën e jashtme të SHBA-së. Lidhur me sigurinë kur bëhet fjalë për ndjekjen dhe ndërprerjen e veprimtarisë terroriste, ne vazhdojmë të kemi partnerë të fortë në të gjithë Ballkanin dhe ata kanë nevojë për mbështetjen tonë. Bashkëpunimi i shkëlqyeshëm rajonal me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën parandaloi përpjekjet të një sulmi gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në Shkodër në nëntorin e kaluar”.
Diplomati amerikan tregon edhe planin se si do të veprohet për t’ju kundërpërgjigjur Rusisë, që është duke investuar për rritjen e influencës në Ballkan. “Aktualisht Ballkani Perëndimor është plotësisht i varur nga Rusia për gazin natyror. Duke mbështetur projekte që vendet e Ballkanit të kenë mundësinë të importojnë gaz nga më shumë burime do të zvogëlohen ndikimet ruse atje”.  Mbështetja e mediave të pavarura që të mund të përballohen mekanizmat propaganduese të Rusisë, do të jetë edhe një objektiv tjetër i planeve të SHBA-së në Ballkan.
Në seancën dëgjimore ka reaguar edhe Dana Rohrabacher, që shprehu shqetësimin për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe shprehu gatishmërinë për takime të tjera për këtë çështje. Fjalët e fundit të seancës të zotit Rohrabacher ishin: “Ballkani mbetet derë e thyer, ku të gjitha anët politike tentojnë të rrisin influencën e tyre”.

Yee: I rëndësishëm dialogu politik në Shqipëri

Yee thotë që diplomacia amerikane fuqishëm ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, ky proces mbetet i domosdoshëm për stabilitetin rajonal dhe është në interes të të dy vendeve drejt rrugës së tyre për integrimet europiane. I pyetur gjatë seancës dëgjimore nga Eliot Engel për mbështetjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës, diplomati amerikan tha që ushtria duhet formuar hap pas hapi dhe në pajtim me ligjet e vendit, që të mos krijohen tensione të reja në rajon. Hoyt Yee ndan mendimin që Kosova dhe Serbia duhet përfundimisht të dënojë masakrat gjatë luftës dhe kjo temë të mbyllet në interes të të dy vendeve.
Për Shqipërinë, Hoyt Yee thekson se me ndihmën e SHBA-ve veçse kanë filluar reformat në drejtësi, që do të forcojnë të drejtat ligjore dhe do të çlirojë institucionet nga korrupsioni. Ai gjithashtu potencoi se sa i rëndësishëm është dialogu midis partive më të mëdha të vendit.
Në deklaratën e tij, ai dënoi ashpër dhunën në Parlamentin e Maqedonisë dhe theksoi se autoritetet duhet sa më parë të zbardhin rastin dhe të nxirren para drejtësisë të gjithë ata që fizikisht abuzuan deputetët e zgjedhur nga populli. Po ashtu ai fajësoi Presidentin Ivanov, që u vonua me dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re. Në seancën dëgjimore ishte i pranishëm edhe sekretari i partisë LRPDSH – Arben Taravari. Ajo që u vërejt ishte vendosja e pllakatave që dënonin dhunën e 27 prillit në Maqedoni, si dhe fotografia e Zijadin Selës pas sulmit që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë.

Përse u thirr seanca dëgjimore

Të mërkurën në Capitol Hill u mbajt një seancë e posaçme dëgjimore me temën “Ballkani: Kërcënimet ndaj paqes dhe stabilitetit”. Ndihmëssekretari i SHBA-së Hoyt Yee shprehu mendimet e tij lidhur me çështjen e Ballkanit. Seanca drejtohej nga kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Dana Rohrabacher dhe anëtarët e nënkomitetit. Po ashtu, në mbledhjen e së mërkurës ishte i pranishëm edhe nënkryetari i këtij Komisioni dhe njohësi i mirë i çështjes shqiptare në Ballkan, Eliot Engel.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike shprehën shqetësimin e tyre për shkurtimin e buxhetit për Departamentin e Punëve të Jashtme, si dhe ngritën pyetje rreth strategjisë së veprimit në Ballkan nga qeveria e Donald Trump-it. Hoyt Yee e siguroi komitetin se të gjitha hapat e marra nga ky departament janë të koordinuara më parë me Presidentin Trump dhe tha që strategjia e SHBA-së për Ballkanin mbetet e njëjtë pa marrë parasysh administratën qeverisëse.
“Në të gjithë rajonin po rritet nacionalizmi dhe retorika e politikanëve gjithnjë e më shumë është përçarëse. Edhe pse Ballkani nuk e dominon skenën ndërkombëtare si më parë, rajoni ende përballet me sfida të mëdha dhe derisa këto të mbesin të hapura, rrezikojnë interesat e SHBA-së në Europë”, tha Hoyt Brian Yee gjatë prezantimit të tij para nënkomitetit për Punë të Jashtme të Kongresit.
Largimi i rinisë nga vendet e Ballkanit shihet si problem kyç nga diplomati amerikan. “Të rinjtë që jetojnë në vendet e tyre dhe nuk arrijnë dot të largohen bien nga pamundësia financiare nën ndikimin e grupeve ekstremiste si ISIS. Po ashtu edhe ndikimet e Rusisë në Ballkan janë shqetësuese si në rastin kur mbështesnin lëvizjet pro ruse në Mal të Zi dhe pro bllokimit të integrimit të Kosovës në OKB”. Hoyt Yee mendon se nëse nuk merren tani masat e nevojshme që rajoni të vazhdojë rrugën drejt integrimeve euroatlantike, atëherë do të nxiten konflikte që me siguri do të prekin edhe interesat e SHBA-së.