Turneu kinez, anulohet miqësorja Milan-Inter

Miqësorja ndërmjet Milanit dhe Interit e paraparë të zhvillohej në Kinë, me shumë mundësi mund të anulohet, për shkak se, Milanit i duhet të luaj në kualifikimet për Europa League. Kualifikimi zyrtar në rrethin e tretë paraeliminator të Europa League do ta detyrojë Milanin të rishikojë të gjithë planin e programit veror. Kjo, sepse kuqezinjtë do të jenë të detyruar të nisin përgatitjet shumë më herët, ndërkohë që turneu veror në Kinë do të jetë i reduktuar.
Megjithatë, pas 3 vitesh mungesë, për tifozët do të jetë një sezon gjatë të cilit do të mund të gëzojnë kryesisht për përballjen e kundërshtarëve të rinj europianë. Me shumë mundësi, Montella do t’i mbledhë lojtarët, duke nisur nga datat 3 apo 4 korrik, që do të thotë rreth 23-24 ditë përpara se të luhet sfida e parë e turit të tretë paraeliminator të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Evropë, pas Champions League. Por njëkohësisht edhe dy javë përpara miqësores së parë të parashikuar në kuadër të “International Champions Cup”.
E pavarësisht vendit të gjashtë në Serinë A dhe biletës për në Europa League, Milan duket se nuk ka dashur të heqë dorë nga turneu kinez. Plani është që më 18 korrik të zhvillojë një takim miqësor në Guangzhou ndaj Borussia Dortmund, ndërsa më 22 korrik në Shenzhen, kundër Bayern Munchen të drejtuar nga ish-trajneri i kuqezinjve, Karlo Ançeloti.
Por reduktimi ka prekur pikërisht atë që konsiderohet si “derby” kinez, kundër Interit, që duhej të zhvillohej më 24 korrik në Nanchino. Kjo për shkak se, miqësorja koinçidon me vetëm 3 ditë përpara ndeshjes së parë evropiane në Europa League.
Më 14 korrik, Montella dhe Milan do të njohin kundërshtarin, me të cilin do të përballen më 27 korrik dhe 3 gusht, pas shortit të 58 skuadrave. 25 prej tyre, përfshi Milanin, do të hyjnë drejtpërdrejt në këtë rreth të garave, ndërsa 33 të tjera do të vijnë pas dy rrathëve të parë paraeliminatorë.