Trump nga Arabia në Izrael, kërkohet paqe për Palestinën

Presidenti Donald Trump mbërriti dje në Izrael në vizitën e tij të parë në këtë vend si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara. Ai ka dhënë më parë shenja për mundësinë e një rifillimi të procesit të paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Sekretari Tillerson u tha gazetarëve që shoqërojnë Presidentin amerikan, se është krijuar ndjesia e një momenti të rëndësishëm dhe e një mundësie për të lëvizur drejt paqes.
Presidenti Trump u mirëprit në aeroportin Ben-Gurion të Tel Avivit me një ceremoni të kryesuar nga Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në fjalën e tij, udhëheqësi izraelit iu referua fjalimit të dy ditëve më parë të Presidentit Trump në Arabinë Saudite, duke thënë se Izraeli ka të njëjtin angazhim ndaj paqes dhe se i ka shtrirë dorën për paqe të gjithë fqinjëve, përfshirë palestinezët.
“Zoti President, Izraeli ka të njëjtin përkushtim ndaj paqes që ju shprehët dje. Ne kemi arritur tashmë paqen me Egjiptin dhe Jordaninë. Izraeli u ka shtrirë dorën për paqe të gjithë fqinjëve, edhe palestinezëve”, tha Kryeministri Netanyahu.
Presidenti Trump u tha të pranishmëve se tashmë është krijuar një mundësi e rrallë për të sjellë siguri, stabilitet dhe paqe në Lindjen e Mesme.
“Sapo përmbylla një vizitë në Arabinë Saudite, ku u takova me Mbretin Salman dhe udhëheqës nga mbarë bota myslimane dhe arabe. Arritëm një dakordësi historike për një bashkëpunim gjithnjë e më të madh në luftën kundër terrorizmit dhe ideologjisë së tij të ligë”, tha Presidenti Trump.
Presidenti Trump tha se ekziston tashmë mundësia për ta mundur terrorizmin dhe se kjo mund të arrihet vetëm nëse punohet bashkërisht.
Ai ka sinjalizuar se dëshiron të rifillojë bisedimet izraelito-palestineze për paqen, të cilat u braktisën në vitin 2014.
Gjatë vizitës, Presidenti Trump do të vizitojë edhe Murin Perëndimor, një objekt i shenjtë me rëndësi për hebrenjtë. Ditën e sotme, ai do të takohet me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas.