Triumfi i Zidane!

Zinedine Zidane është në qiellin e shtatë për triumfin në La Liga me Real Madridin. Real Madridi është kampion i Spanjës për sezonin 2016/17. Ky është titulli i 33 në histori të Real Madridit, që e fitojnë për herë të parë pas pesë vjetësh, hera e fundit kur triumfuan ishte viti 2012, nën udhëheqjen e Jose Mourinhos.
Zidane deklaroi se ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme me ulje dhe ngritje përgjatë gjithë sezonit, por në fund suksesi u arrit, falë punës dhe përkushtimit të të gjithë futbollistëve. Zidane shton se ishte një luftë e ashpër, por Reali tregoi se është një skuadër me karakter dhe se e meritonte plotësisht kampionatin. “Jam shumë i lumtur dhe është koha të shijojmë këtë triumf. Nuk jemi duke menduar për Cardifin, ajo çfarë duam është të shkojmë në “Cibeles” dhe të festojmë me tifozët”, tha Zidane. “Sistemi? Mund të luajmë me sisteme të ndryshme, varësisht prej kundërshtarëve, kam një skuadër të shkëlqyer”, shtoi ai.
“Triumfi në La Liga është diçka vërtetë e veçantë për mua. Kemi pasur ditët tona të mira dhe të këqija, por në fund ia dolëm, duke luftuar çdo ditë për t’ia arritur qëllimit. Ishte një garë e ashpër, por në një kampionat, ku rivaliteti është i madh kjo është diçka normale. Kishim një mision shumë të rëndësishëm, pasi prej kohësh ekipi dhe tifozët e donin titullin kampion dhe për ne ky ishte objektivi parësor. Komplimentoj të gjithë futbollistët për suksesin e arritur”, tha ai.
Më tej, francezi nuk ngurroi ta vlerësonte maksimalisht Ronaldon, i cili sipas tij është një futbollist që bën diferencën, por shtoi se futbolli është një sport kolektiv dhe të gjithë janë të rëndësishëm. Finalja e Champion League është ndalesa e radhës, por Zidane preferon të shijojë triumfin e arritur e më pas të mendojë për finalen e Cardiff. “Duhet të shijojmë titullin, të paktën për momentin. Është një ditë e veçantë për të gjithë ne dhe ende nuk ka ardhur momenti të mendojmë për finalen e Champions. Kemi kohë mjaftueshëm për t’u fokusuar maksimalisht, tek ndalesa e radhës”, përfundoi Zidane.
Reali i Madridit fitoi për herë të 33-të titullin kampion. Në “Rosaleda” los blancos triumfuan pas pesë vitesh në La Liga falë një fitoreje 0-2 ku la sërish vulën Cristiano Ronaldo, që u konfirmua dhe një herë si lojtari i madh i ndeshjeve të mëdha. Në pjesën e dytë ishte Benzema, ndërkohë që i vuri vulën e madrilenëve trofeut, pavarësisht se skuadrës së Zidane i mjaftonte dhe vetëm 1 pikë në këtë transfertë. Një titull shumë i luftuar me Barcelonën pas një sezoni, ku Reali tregoi gjithsesi se ishte skuadra më e qëndrueshme pavarësisht se në fund katalanasit falë fitores në El Clasico arritën të riktheheshin në garë për trofeun.