Tottenham shkatërron Leicester

Me garën për titull që është mbyllur, Tottenham synon të realizojë një mbyllje të madhe të sezonit. Kjo u konfirmua edhe nga fitorja 6-1 që Spurs regjistruan në fushën e Leicester. Harry Kane, që ishte njeriu i mbrëmjes në “King Power Stadium” zhbllokoi shifrat për skuadrën e Pochettino pas vetëm 25 minutave lojë. Son Heung-Min dyfishoi rezultatin për Tottenham në të 36-ën pas asistit të Delle Alli.
Chilwell në startin e pjesës së dytë krijoi iluzionin se Leicester mund të rihapte lojën, por Harry Kane zbehu shpresat e vendasve, me golin e tretë për Tottenham në minutën e 63-të. Son Heung-Min realizoi golin e katërt për londinezët dhe të dytin personal të mbrëmjes, ndërsa fundi i sfidës kishte si protagonist Harry Kane.
Sulmuesi 23-vjeçar realizoi sërish në fundin e kohës së rregullt, ndërsa në shtesë shënoi golin që vulosi rezultatin final 6-1 dhe të katërtin personal, kuotë të cilën e arriti për herë të parë në karrierë. Një festë e vërtetë për Tottenham, që ka siguruar vendin e dytë në Premier League, pozicionimi më i lartë prej sezonit të largët 1962-’63.
“Calderon” drejt shembjes, stolat për tifozët
Stadiumi i Atleticos së Madridit, “Vincente Calderon”, do të pushojë se ekzistuari pas 50 vitesh aktivitet. I përuruar në vitin e largët 1966, impianti i Los Colchoneros do të qëndrojë në këmbë deri në fund të vitit, ndërsa pas përfundimit të sezonit nuk do të jetë funksional për ndeshjet e Atleticos, që shumë shpejt do të ketë impiantin e ri Wanda Metropolitana.
Drejtuesit e klubit kanë marrë një vendim mjaft interesant për të kënaqur tifozët fanatikë apo atë që çdo vit abonohen për të ndjekur në çdo ndeshje brenda idhujt e tyre. Secili tifoz do të ketë të drejtë që ta marrë në shtëpi ndenjësen ku ka qëndruar prej vitesh për të ndjekur pasionin e tij. Sigurisht që të abonuarit duhet të bëjnë një kërkesë zyrtare në klub, për t’iu dhënë kjo mundësi. Ky vendim ka qëllim të dyfishtë. E para, për të vlerësuar mbështetjen historike të Los Colchoneros, dhe e dyta, për të evituar aktet vandale, që u panë që pas ndeshjes së kthimit të Championsit në derbi me Realin e Madridit, ku shumë tifozë shkulën ndenjëset, duke i marrë me vete. E duke parë që ky impiant do të qëndrojë edhe për pak kohë në jetë, duhen marrë masat që të mos shkulen në mënyrë të pakontrolluar ndenjëset. Ndeshja e fundit zyrtare e Atletcos në “Vicente Calderon” do të jetë me Bilbaon këtë të dielë, ndërsa më 27 maj do të zhvillohet finalja e Kupës së Mbretit Alaves–Barcelona, ndërsa një ditë më pas do të zhvillohet një festë lamtumire për këtë stadium me legjendat e së shkuarës të Atleticos. Deri në fund të vitit mund të zhvillohen të tjera aktivitete artistike para se të nisë shembja e këtij impianti 50-vjeçar. Vetë klubi madrilen i ka sqaruar të gjithë tifozët se ata që dëshirojnë ndenjëset e tyre mund të bëjnë një kerkesë dhe në fund të vitit mund ta marrin si kujtim nga “Vicente Calderon”, para se të nisë shembja.