“The Economist”: Ballkani Perëndimor kaotik merr një kthesë të papritur

Revista e njohur “The Economist” ia ka dedikuar një prej artikujve kryesorë, zhvillimeve të befasishme në Ballkan. Sipas saj, në mënyrë të habitshme, në tre shtetet: në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri, krizat u zgjidhën menjëherë. “Ballkani Perëndimor kaotik merr një kthesë të papritur për mirë”, shkruan “The Economist”. “Gjatë javëve të shkuara, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë vizituar nga zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për rajonin, Hoyt Brian Yee. Vizita e tij mund të ketë të bëjë diçka me hapjen e papritur të politikanëve vendas për kompromis. Bashkimi Europian dhe SHBA janë duke u shqetësuar gjithmonë e më shumë nga ndikimi në rritje i Rusisë në rajon. Ata druhen se konflikti në Ballkanin Perëndimor mund të nxjerrë nga kontrolli politikat e tyre dhe mund t’i detyrojë ata të ndërhyjnë sërish, siç kanë bërë në vitet ‘90. Pavarësisht përmirësimeve të fundit, potenciali për kaos mbetet: Ata duhet të mbeten të angazhuar”, e mbyll shkrimin revista. Pikërisht presioni i SHBA dhe BE ka bërë që në rrjet të shtohen gjithmonë e më shumë spekulimet se marrëveshja mes PS dhe PD do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve.