Sulm me gaz lotsjellës te ALUIZNI, zhduken dosjet

Zyrat e ALUIZNI-t në Durrës janë sulmuar dje me gazlotsjellës me qëlllim zhdukjen e dosjeve të legalizimeve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 15:30, ndërsa denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mbërritjes së një mesazhi në adresë të tij nga një qytetar nga Durrësi. “Sulm kriminal mafioz me gaz lotsjellës në ALUIZNI-n e Durrësit. “Qytetari dixhital denoncon. Lexoni më poshtë mesazhin e sapo mbërritur”, shkruan në faqen e tij, Facebook ish-kryeministri Berisha.
“‪22/05/2017, 15:40:33: Përshëndetje Doktor. Sapo po ndodh tani në Durrës në zyrat e ALUIZNI-t është hedhur gaz lotsjellës. Ambulancat ikin e vijnë, duke çuar personelin në spital. Dua të theksoj që ish-drejtori i ALUIZNI-t sot ka dhënë dorëheqjen, por gjithë ditën me grupin e tij të LSI dhe bashkë me të birin e Lefter Kokës po grisin dosje pa fund. Deri sa ndodhi kjo e fundit tani. Duhet urgjent të nderhyjë Prokuroria”, shkruan qytetari.
Pas denoncimit të ish-kryeministrit Berisha për sulmin me gaz lotsjellës tek zyrat e ALUIZNI-t në Durrës, ka reaguar edhe policia e qytetit bregdetar. Policia pranon sulmin me gaz lotsjellës në Zyrat e ALUIZNI-t dhe deklaron se i ka kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet. “Më datë 22.05.2017, rreth orës 15:30 jemi njoftuar se në Zyrat e ALUIZNI-t, Durrës personat e pranishëm kanë ndjerë një aromë mbytëse”, tha policia, duke shtuar se në vendngjarje kanë shkuar efektivët e policisë, ku disa persona kanë shfaqur shqetësime në frymëmarrje, por pa probleme për shëndetin.
“Nga ana jonë është lajmëruar prokurori i gatshëm, forcat zjarrfikëse dhe ambulanca, me qëllim parandalimin e çdo nevoje emergjente. Situata në këto momente është normale dhe theksojmë se në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës nuk është paraqitur asnjë person”, tha policia. Policia bën të ditur se, është ngritur grupi hetimor dhe pritet të përcaktohet nga ekspertët lloji i lëndës e dyshuar e hedhur në këtë ambient dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Në shtator të vitit të kaluar drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi u plagos me armë në një bar kafe. Ngjarja u denoncua nga Partia Demokratike, e cila akuzoi policinë për mbajtjen e fshehtë të ngjarjes. Përmes një deklarate PD, theksoi se “ngjarja që ka ndodhur për pazare legalizimesh, është mbajtur e fshehur nga policia, dhe ka pasur tentativë për ta trajtuar sikur është qëlluar në ajër, ndërkohë që drejtori i ALUIZNI-t është plagosur në këmbë. Për të fshehur ngjarjen është kujdesur drejtori i Policisë së Durrësit”.
“Pak ditë më parë raportohet se është plagosur me armë drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi, në bar kafe Cafetino, nga një shtetas me inicialet G.XH. Ngjarja që ka ndodhur për pazare legalizimesh, është mbajtur e fshehur nga policia, dhe ka pasur tentativë për ta trajtuar sikur është qëlluar në ajër, ndërkohë që drejtori i ALUIZNI-t është plagosur në këmbë. Për të fshehur ngjarjen është kujdesur drejtori i Policisë së Durrësit.
Partia Demokratike denoncon me forcë fshehjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të njerëzve të Edi Ramës në këto pazare. Kjo është një provë tjetër që tregon se, drejtuesit e Ramës nuk janë aty për të zbatuar ligjin, po për të mbyllur hesapet.
Partia Demokratike kërkon të bëhet menjëherë transparencë për rrethanat dhe motivet. Çdo fshehje e mëtejshme e ngjarjes është një krim edhe më i rëndë që bëhet me dijeninë e bekimin e Edi Ramës”, thuhej në deklaratën për shtyp.

R.POLISI