Suedia pushon hetimet ndaj Assange

Prokurorët suedezë njoftuan se kanë pushuar hetimin shtatëvjeçar për përdhunim ndaj themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.
Në një deklaratë të zyrës së Prokurorisë thuhej se prokurorja e Përgjithshme, Marianne Ny vendosi të ndërpresë hetimet paraprake. Themeluesi i WikiLeaks kërkohej nga Suedia lidhur me një akuzë për përdhunim. Por ai kishte përfituar azil nga Ekuadori dhe prej vitit 2012 banon në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur arrestimin dhe ekstradimin.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Drejtësisë po e heton Julian Assange-n që nga viti 2010, kur WikiLeaks publikoi mijëra dosje sekrete amerikane. Muajin e kaluar, në një fjalim në Uashington, drejtori i CIA-s Mike Pompeo tha se në vitin 2010 WikiLeaks udhëzoi një analist të zbulimit të ushtrisë amerikane për të interceptuar “informacione sekrete specifike që kishin të bënin kryesisht me Shtetet e Bashkuara”. Agjencitë amerikane të zbulimit thonë se Rusia përdori WikiLeaks-in për të publikuar e-mail-e të ish-kandidates presidenciale Hillary Clinton përpara zgjedhjeve vitin e kaluar.
Besohet se hakerë që punojnë për Rusinë hynë në llogaritë e internetit të zyrtarëve të fushatës Clinton, si dhe atyre të Komitetit Kombëtar Demokrat. Ata i publikuan e-mail-et në WikiLeaks, në një përpjekje që mesa duket synonte ndërhyrjen në rezultatin e zgjedhjeve. Njoftimi i së premtes nënkupton se 45-vjeçari Assange nuk është më në hetime në Suedi.
Policia britanike tha se Assange do të arrestohet nëse largohet nga ambasada. Policia tha se ka një urdhër arresti ndaj tij për mosparaqitje në gjykatë më 29 korrik të vitit 2012 dhe ajo është e detyruar ta zbatojë.