Shqipëria ka mungesë të ndërmarrjeve të mëdha

Sipas të dhënave nga Colliers International, në fund të gjashtëmujorit të dytë 2016, stoku i përgjithshëm i zyrave në Tiranë ishte 101,307 m². Stoku aktual përfshin godina të klasit A, B dhe B + dhe godina për përdorim të kombinuar. Pjesa më e madhe e ofertës për zyra është e vendosur në qendër të qytetit (përfshi zonën qendrore të biznesit), ndërsa zonat më pak të preferuara janë në rrethinat e Tiranës. Projektet e mëdha të zyrave, të vendosura jashtë qytetit, kanë regjistruar norma të larta të moszënies. Këto norma nuk janë përfshirë në llogaritje, pasi mund të shtrembëronin analizën totale të moszënies së zyrave, që përfaqësohet nga godinat në zonën qendrore të biznesit.
Por, oferta për zyra pritet të rritet shumë shpejt. Kulla Millennium, në zemër të Tiranës, parashikohet që të hyjë në treg në mes të vitit 2017. Qendra e Biznesit i ka filluar tashmë negociatat për procesin e qiradhënies dhe do të rrisë gjithashtu ofertën për zyra në gjashtëmujorin e parë 2017. Kulla Archea, gjithashtu në qendër të Tiranës, është aktualisht në status jo aktiv. Në momentin që ajo do të jetë aktive, do të bëhet e qartë nëse do të shërbejë për zyra apo për ndonjë nënsegment të pasurive të paluajtshme.
Colliers parashikon që mbërritja e ndërtesave të reja do të shtojë ofertën për zyra, duke dhënë një efekt në uljen e qirasë. Ky do të jetë një përfitim shtesë për qiramarrësit, teksa godinat në zonën qendrore të biznesit në kryeqytet kanë disa prej qirave më të larta në Ballkanin Perëndimor. Vendndodhjet e ndryshme të zyrave që do të ndërtohen do ta bëjnë gjithashtu më tërheqës tregun për qiramarrësit, pasi ata do të kenë tashmë shumë mundësi zgjedhjeje.
Por nuk është kaq optimiste Shoqata e Ndërtuesve. Kjo sepse nuk ka shumë kërkesë për zyra dhe për më tepër nuk është se ka hyrje kompanish të mëdha në treg, që do të rrisnin zënien e sipërfaqeve. Shqipëria ka mungesë të ndërmarrjeve të mëdha, që do të kishin kapacitet të merrnin sipërfaqe të mëdha zyrash. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme të INSTAT, që i përkasin vitit 2015 për Regjistrin Statistikor të Ndërmarrjeve, në Tiranë ka gjithsej rreth 3 mijë ndërmarrje me 10-49 të punësuar dhe rreth 900 biznese, që kanë më shumë se 50 të punësuar. Nga 54 mijë ndërmarrje që janë në kryeqytet, 85% nuk kanë më shumë se 4 punonjës, që në pjesën më të madhe janë biznese tregtimi e shërbimesh, që nuk pritet të kenë nevojë për zyra në qendrat e mëdha. Kjo situatë po projekton kështu çdo ditë për fat të keq kolaps! Duhet kurajo për të përballur të vërtetën!