Shëndetësinë e kap gangrena e koncesioneve

Monitor

Taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë për analizat në laboratorët publikë gati 3 herë më shumë se sa aktualisht, duke filluar që nga ky vit. Para pak ditësh, qeveria, me një garë të hapur, autorizoi kompaninë Labopharma që të ofrojë shërbimin e laboratorëve nëpërmjet formës koncesionare PPP (Partneritet Publik Privat) për 18 spitale rajonale dhe 2 bashkiake për 10 vitet e ardhshme, kundrejt vlerës 13 miliardë lekë, të cilat do të paguhen nga buxheti i shtetit. Me këtë fond, shpenzimet buxhetore për shërbimin publik të analizave rriten më shumë se tre herë. Gazmend Koduzi, ish-drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, pohoi se mesatarisht fondet e buxhetit për laboratorët në një vit kalendarik ishin 800 mijë euro ose pak më shumë se 110 milionë lekë. Me këtë shumë, spitalet publike kryenin rreth 4,9 milionë analiza në vit, duke mbuluar të gjithë nevojat spitalore për të shtruarit dhe duke plotësuar gati 30 për qind të nevojave për shërbimin ambulator. Për pagat e stafit të shërbimit laboratorik, qeveria shqiptare paguan një shumë prej 215 milionë lekësh në vit (1.5 milionë euro) që shkon për 442 laborantë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Aktualisht, qeveria shpenzon për shërbimin laboratorik 2.3 milionë euro në vit, ndërsa koncesionari do të shpenzojë 10 milionë euro për të njëjtën periudhë dhe për të njëjtin shërbim. Koduzi, një ekspert me përvojë në llogaritjen e kostove të shërbimeve shëndetësore, pohon se nga kjo politikë fiton vetëm koncesionari, humbësit janë qytetarët shqiptarë dhe arka e shtetit.
Kompania, që do të ofrojë këtë shërbim më së paku 3 herë më shtrenjtë, do të përdorë ambientet aktuale të laboratorëve. Një pjesë e tyre tashmë kanë pajisjet më të fundit të laboratorit. Por edhe nëse investohet në pajisje të reja, Koduzi thotë se në rastin më të mirë, shpenzimet për instalimin e tyre nuk do t’i kalojnë 3 milionë eurot. Më tej, shpenzimet e kompanisë janë për blerjen e kiteve që shërbejnë për leximin e analizave dhe pagesat për stafin. Por distributorët e mëdhenj të preparateve mjekësore kanë disa parime si të gjitha linjat e tregut. Për konsumatorët e mëdhenj të kiteve, ata japin pajisjen e laboratorike falas. Çdo kompani që ka një kontratë dhjetëvjeçare për blerje kitesh mbi 1 milion euro në vit, i merr falas laboratorët ose me një çmim shumë të ulët. Ekspertët e sektorit pohojnë se skema funksionon njëlloj si shitja e kafesë: ata që konsumojnë shumë kafe, marrin falas ekspresin. Ata që njohin tregun e produkteve mjekësore, e dinë shumë mirë këtë fakt. Koduzi thotë se nëse kjo shumë do të investohej në laboratorët publikë, të jeni të sigurt që të gjithë qytetarët shqiptarë do të mbuloheshin me shërbim laboratorik publik cilësor. Sot, spitalet shtetërore kanë stafe të kualifikuara laborantësh dhe shumica prej tyre, edhe laboratorë tërësisht të rinj, por problemi ka qenë se asnjëherë qeveritë nuk kanë përmbushur nevojat për lëndën të parë për leximin e analizave, kitet. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, kontrata e koncesionit të laboratorit të katërt në radhë në sektorin e shëndetësisë do të nisë nga operimi në gjysmën e dytë të vitit, në muajin korrik, ndërsa Ministria e Financave ka programuar ta financojë kompaninë që nga ky vit me 1,07 miliardë lekë. Koncesionarët do të marrin në 20 vitet e ardhshme 311 milionë euro nga arka e shtetit, shumë kjo e mjaftueshme për të modernizuar spitalet publike me të gjitha pajisjet.

Si u fry vlera e koncesionit të laboratorit me 21% vetëm në tre muaj

Ministria e Shëndetësisë i kishte kërkuar Ministrisë së Financave, në kuadër të diskutimeve për buxhetin 2017, që të llogariste një shumë prej 10.7 miliardë lekësh si shpenzime që do të shtriheshin për një periudhë 10-vjeçare ndaj koncesionit të ri të shërbimit laboratorik. Ministria e Financave e raportoi këtë shumë në Kuvend, si pjesë e shpenzimeve buxhetore duke detajuar se për vitin e parë të koncesionit (2017) do të paguheshin rreth 1 miliard lekë (7.8 milionë euro). Përllogaritjet u bënë në kohën kur tenderi për gjetjen e kompanisë që do të menaxhonte laboratorët nëpërmjet financimit publik ishte në procedura. Fituesi u shpall më datën 24 prill 2017 dhe shuma e ofruar ndaj tij kundrejt shërbimit rezultoi 13 miliardë lekë, ose 21% më shumë se sa planifikoi qeveria për të shpenzuar për këtë koncesion në fund të vitit të kaluar. Me këtë vlerë, koncesioni i laboratorëve është më i shtrenjti i dhënë deri më tani nga qeveritë shqiptare ndër vite dhe sigurisht më i kushtueshmi në sektorin e shëndetësisë.
Ish-zyrtari i lartë i Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (sot Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor) thotë se kjo politikë e ndjekur nga qeveria për koncesionet ka dëmtuar rëndë funksionimin e qendrave spitalore, pasi u ka hequr atyre një nga shërbimet bazë. Partneriteti Publik Privat ka funksionuar për shërbime mbështetëse të spitaleve, si pastrimi dhe ushqimi, por nuk sugjerohet për funksionet themelore spitalore. Kur Ministria e Shëndetësisë hartoi kriteret për garën e koncesionit të laboratorit kërkoi pikët më të ulëta për rrjetin e laboratorëve dhe burimet njerëzore, të cilat u vlerësuan secila me nga 10 pikë. Në sistemin prej 60 pikësh, me 15 pikë u vlerësua plani i menaxhimit të cilësisë dhe metodologjia e analizave dhe po kështu me 15 pikë u vlerësua edhe kalendari i zbatimit të projektit. Sistemi i pikëzimit për 5 kriteret themelore dha pikët më të ulëta për pajisjet dhe burimet njerëzore dhe më të larta për kalendarin e zbatimit të projektit.

Superfatura për dy koncesione që ofrojnë të njëjtin shërbim

Pasi ka vendosur që të kalojë në administrim të një privati shërbimin e laboratorit, Ministria e Shëndetësisë praktikisht ka mbivendosur funksionet e koncesionit të ri me atë të check up. Kompania “3P Life Logistic”, e njohur ndryshe si check up (kontrolli bazë mjekësor) ofron në thelb shërbimin e laboratorit. Intervistat për llogari të koncesionarit të check up me pacientët realizohen nga personeli shtetëror, i cili është pjesë e shërbimit parësor. Pjesa që mbetet për check up është vetëm transporti dhe kryerja e analizave laboratorike. Check up ka një kontratë 10-vjeçare me qeveritë dhe do të paguhet me fondet e buxhetit të shtetit 7.8 miliardë lekë, ose 787 milionë lekë në vit. Në të njëjtën kohë, qeveria do të paguajë koncesionin e shërbimit laboratorik me 1.3 miliardë lekë në vit (ose 10 milionë euro) dhe po me 6 milionë euro të tjera në vit shërbimin laboratorik që ofrohet nga check up, gjithsej fatura shkon 16 milionë euro në vit. Me këtë shumë, vetëm në një vit do të pajiseshin të gjitha spitalet rajonale me laboratorë dhe kite nga më modernet, analizojnë ekspertët. Për 10 vite, pagesa për dy koncesionet do të jetë 160 milionë euro, shumë kjo për të ndërtuar 4 spitale të mëdha nga e para të standardit të spitalit privat, Hygea. Ish-zyrtari i FDKSSH, Gazmend Koduzi, tha se koncesionet në shëndetësi nuk u dhanë duke u udhëhequr nga logjika ekonomike. Ai tha se koncesionet nuk kishin një fizibilitet paraprak dhe janë miratuar në mungesë të plotë transparence. Ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar të informojë edhe komisionet parlamentare. Koduzi sqaroi se koncesioni i check up nuk u shoqërua me asnjë analizë për treguesit që synoheshin të përmirësoheshin, kështu që çdo analizë që kërkohet të bëhet më tej nuk mund të analizohet, pasi i mungon tërësisht baza e krahasimit. Më tej, Koduzi thotë se koncesioni nuk po kryen as funksionet që i ka në kontratë. Sipas kontratës, kompania duhet të lajmëronte me burimet e veta njerëzore pacientët që të bënin check up, nëpërmjet telefonatave dhe lajmërimeve në postë, por aktualisht këto shërbime i kryejnë punonjësit e shtetit, të cilët shpesh janë vënë nën presion për të gjetur pacientë në mënyrë të sforcuar për të bërë kontrollin. Ministria e Shëndetësisë e pyetur nga “Monitor”, nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, nuk dha informacion në lidhje me analizat kosto përfitime që kanë shoqëruar procesin e dhënies së shërbimeve shëndetësore me koncesion.

Koncesionet 311 milionë euro të shëndetësisë

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione për 10 vitet në vijim. Por nëse kjo shumë do të investohej në shërbimet e sektorit publik, padyshim që Shqipëria do të kishte shërbimet mjekësore më të mira në rajon dhe njësoj si në vendet e zhvilluara. Një ish-ministër Shëndetësie, në kushtet e anonimatit, tha se me këtë shumë, vendi do të kishte të paktën 5 qendra të mëdha spitalore dhe do të plotësonte të gjitha nevojat e shërbimit parësor me pajisje mjekësore si laboratorë, eko, skanerë etj. Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Shëndetësisë ka autorizuar rritjen e financimeve për sektorin gjatë viteve në vijim në mbi 3,5% të PBB-së nëpërmjet politikës së koncesioneve. Por analiza e çmimeve tregon se kostoja (pa analizuar cilësinë e shërbimit) është shumë e lartë. Koncesioni i check up, që nisi punë në shkurt të vitit 2015, në të cilin ka bërë edhe të gjitha investimet, arriti të realizojë një fitim vjetor prej 46 milionë lekësh, ose rreth 300 mijë eurosh. Kompania ndërkohë mori dyfishin e pagesave për kontrollin e 475 mijë personave, pavarësisht se realisht ishin drejtuar për kontroll tek check up vetëm 240 mijë persona. Qeveria e paguan kompaninë me 12 euro për çdo kontroll, teksa pjesa më e madhe e analizave kushtojnë në laboratorët privatë jo më shumë se 3 euro. Koncesioni i shërbimit të sterilizimit të sallave është një tjetër shpenzim nga arka e shtetit me kosto të larta – vlerësojnë specialistët. Kompania Saniservis, e cila ka fituar koncesionin 12,3 miliardë lekë për periudhën 2016-2025, u regjistrua në QKB në korrik të 2015, duke raportuar vetëm detyrime rreth 35 milionë lekë në bilancin dhe asnjë të ardhur. Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, Saniservis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet. Për rrjedhojë, kostoja e sterilizimit të sallës në një operacion normal është 275 euro. Burimet në spitalin Hygea pohuan se kostoja e sterilizimit në spitalin e tyre është disafish më e ulët, teksa infeksioni spitalor është zero. Për shkak të kësaj skeme në spitalet publike kushton më shumë sterilizimi i veglave se sa operacioni, po të marrim në konsideratë pagesat e punonjësve të shëndetësisë në një muaj. Gjithashtu është vënë në funksion shërbimi i dializës për periudhën 2016-2025, me vlerë 9.47 miliardë lekë (70 mln euro), por Gazmend Koduzi pohon se, kjo vlerë është e lartë në krahasim me skemën që ishte në fuqi për këtë shërbim. Koduzi tha se QSUT kishte kontratë me spitalet private dhe paguante një tarifë fikse për çdo të sëmurë me dializë që merrte shërbim nga spitalet private dhe në këtë mënyrë, tha ai, kostot kanë qenë më të ulëta se aktualisht. Koncesioni i laboratorëve është i katërti që po aplikohet në sektorin e shëndetësisë dhe për të njëjtin shërbim ofron shpenzime nga buxheti tre herë më të larta se aktualisht.