Sampaoli: Largohem nga Sevilla për Argjentinën

Nuk ka më asnjë dyshim, Jorge Sampaoli do të largohet nga Sevilla në fund të sezonit, pasi do të marrë drejtimin e Argjentinës. Është vetë trajneri i andaluzianëve që konfirmon atë që mediat e kanë zbuluar prej kohësh. Sampaoli u emërua në krye te Sevillas qershorin e kaluar dhe tani që skuadra e tij e ka sigruar vendin e katërt, nuk e ka problem ta pranojë divorcin.
“Gjithmonë e kam patur ëndërr të drejtoj Argjentinën dhe tani që më është dhënë mundësia, nuk mund ta hedh poshtë. Fatkeqësisht më duhet të ndërpres karrierën me Sevilla, ku e nisa shumë mirë. Tani nuk ka mbetur gjë tjetër veçse të zgjidhen problemet e fundit mes Federatës Argjentinase të Futbollit dhe drejtuesve të Sevillas, sigurisht pas ndeshjes me Osasunën”, u shpreh Sampaoli.
Sampaoli këmbëngul se nuk do ta kishte braktisur Sevillan për një klub tjetër, sado i rëndësishëm të jetë, por oferta e bërë nga vendlindja e tij është një ëndërr e shndërruar në realitet. “Nuk do të shkoja kurrsesi te një skuadër tjetër, por kur bëhet fjalë për kombëtaren kthehet në çështje dashurie për vendin tim. Më ka pëlqyer projekti i Sevillas dhe do të kisha dashur të luftojë për titullin sezonin e ardhshëm, por e përsëris kësaj oferte nuk mund t’i thosha jo”, tha ai.
Objektivi i Sampaolit do të jetë fillimisht sigurimi i një bilete për në “Rusi 2018”, çka është komplikuar shumë në ndeshjet e fundit të bardhekaltërve, më pas mund të flitet për trofeun e Kupës së Botës, që Argjentinës i mungon që nga viti 1986.