Referencat, doganat nuk zbatojnë standardet

Referencat duket të jenë një nga shqetësimet kryesore të bizneseve importuese, të cilat raportojnë se nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kur nuk njihet vlera e transaksionit, kalohet direkt tek referenca pa bërë kërkimet e tjera të nevojshme. Referuar dokumentit zyrtar të Këshillit të Investimeve thuhet se: “Bizneset e kontaktuara shprehen se në rastet kur administrata doganore nuk njeh vlerën e transaksionit, kalohet menjëherë tek çmimet e referencës, pa u argumentuar arritja e këtij përfundimi. Autoriteti doganor vendos çmimet e referencës edhe kur operatori ekonomik depoziton dokumentacionin që shoqëron çmimin e paraqitur në doganë (invoice, kontrate, swift payment) dhe argumentet përkatëse”. Sipas biznesit, autoritetet doganore nuk shterrojnë të gjitha mënyrat e kërkimit të informacionit duke zgjedhur mënyrën e thjeshtë. Por edhe kur aplikohet referenca duket se ka një ngërç që lidhet me lajmërimin e operatorit ekonomik. Mosnjoftimi e privon këtë operator nga mbrojtja që duhet të bëjë në fazën e rivlerësimit duke rezultuar në një proces jotransparent. Por sikur të mos mjaftonin këto probleme duket se mungon një unifikim i praktikave në pika të ndryshme doganore. “Në të paktën 2 raste të raportuara në sekretariat, janë evidentuar praktika të ndryshme të vlerësimit doganor për të njëjtin mall, nga njëra degë doganore në tjetrën”, thuhet në raport. Gjetjet vijnë në kuadër të diskutimit të fundit të Këshillit të Investimeve për lehtësimin e procedurave doganore.