Raporti i KE: Korrupsioni po dekurajon investitorët e huaj

Bashkimi Europian ka publikuar raportin mbi ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Në raport vlerësohet se informaliteti dhe korrupsioni janë pengesa strukturore dhe rekomandohet që Shqipëria duhet të vazhdojë rregullimet fiskale. Gjithashtu, raporti i huave të këqija ka mbetur i lartë, me gjithë zbatimin e pjesshëm të strategjisë për zgjidhje dhe futjen e zbritjeve të detyruara nga taksat. Shqipëria i ka zbatuar pjesërisht udhëzimet e përcaktuara politike të vendosura në konkluzionet e Dialogut Ekonomik dhe Financiar të majit 2016.

Vlerësimi për Shqipërinë

Vendi po përjeton një përmirësim gradual ekonomik që pritet të vazhdojë në periudhën 2017-¬2019. Konsolidimi fiskal e ka reduktuar deficitin e buxhetit në një nivel të ulët të zgjatur në vitin 2016, ndërsa planet rregulluese fiskale për tre vitet e ardhshme pritet të jenë të moderuara, por të mjaftueshme për të vazhduar reduktimin e borxhit publik si pjesë e PBB¬-së, në përputhje me rregullat fiskale të miratuara kohët e fundit. Raporti i huave të këqija ka mbetur i lartë, me gjithë zbatimin e pjesshëm të strategjisë për zgjidhje dhe futjen e zbritjeve të detyruara nga taksat. Shqipëria i ka zbatuar pjesërisht udhëzimet e përcaktuara politike të vendosura në konkluzionet e Dialogut Ekonomik dhe Financiar të majit 2016. Me gjithë progresin, pengesat strukturore për zhvillimin dhe konkurrencën përfshijnë pronësinë ende të paqartë mbi tokën, qasjen e ulët në financë, një nivel të lartë informaliteti dhe korrupsioni, një barrë rregullatore të tepruar dhe paparashikueshmërinë në sistemin gjyqësor, çka dekurajon investimet e huaja dhe të brendshme. Janë arritur përmirësime përmes futjes së sistemit të lejeve elektronike të ndërtimit, masave që trajtojnë ekonominë informale, si dhe hapave për nxitjen e qëndrueshmërisë financiare të sektorit të energjisë elektrike.

Rekomandimet e udhërrëfyesit politik për Shqipërinë

Të vazhdojë rregullimet fiskale duke pasur parasysh plotësimin e objektivave të treguara afatmesme për reduktimin e borxhit publik si pjesë e PBB¬-së. Të fusë masa të mëtejshme për konsolidimin fiskal, nëse reduktimi i borxhit rrezikon të mos e plotësojë objektivin. Të këmbëngulë me përpjekjet e kohëve të fundit për mobilizimin e të ardhurave, në veçanti (i) duke forcuar më tej administratën e taksave; Duke zgjeruar bazën e taksave bazuar në një rishikim të shpenzimeve të taksave; dhe (iii) duke futur një taksë pronësie të bazuar te vlerësimi. Të zbatojë masat e mbetura të strategjisë së zgjidhjes së huave të këqija. Të zbatojë masat e parashikuara në Memorandumin e Bashkëpunimit për rritjen e përdorimit me efektivitet të monedhës kombëtare, përfshirë kërkesat e diferencuara rezervë për lekun dhe depozitat në monedhë të huaj. Të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar jobankar, duke rritur kapacitetin e autoritetit mbikëqyrës financiar. Të kthehet te normalizimi i politikës monetare nëse përqindjet e inflacionit konvergjojnë tek objektivi në mënyrë të qëndrueshme. Të sigurojë ndarjen e plotë të aktiviteteve të transmetimit dhe shpërndarjes së sektorëve të energjisë elektrike dhe gazit, si dhe të fusë shkëmbimin e energjisë. Të miratojë dispozitat e nevojshme ligjore për promovimin dhe monitorimin e masave për përmirësimin e eficiencës së energjisë në përputhje me Traktatin e Komunitetit të Energjisë. Të vazhdojë proceset e sqarimit të pronësisë së tokës bujqësore dhe regjistrimin e pronës, si dhe të krijojë një kadastër funksionale gjithëpërfshirëse dhe një e-¬kadastër deri në vitin 2019. Të rrisë kapacitetet e shërbimeve të punësimit dhe sigurimin nga ana e tyre të masave aktive për tregun e punës për të papunët dhe joaktivët. Në fund të vitit 2017, të hartojë plane konkrete për të trajtuar punën e padeklaruar. Të intensifikojë trajnimin e mësuesve për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të mbështesë reformën kurrikulare.

Kontroll ndaj koncesioneve

Bashkimi Europian fton Shqipërinë të shtojë vigjilencën ndaj rregullit fiskal lidhur me një administrim më të mirë të rreziqeve që vijnë nga kontratat koncesionare me partneritet publik privat dhe borxhet e qeverisë vendore. Këto rekomandime janë bërë në kuadër të publikimit të programit të reformave ekonomike që u bë dje nga Komisioni Europian për vendet kandidate, ndër to edhe Shqipëria. Në kuadër të këtij programi nga të cilat do të burojnë edhe kriteret ekonomike për anëtarësimin, BE vë në dukje se duhen ndjekur rregullat fiskale duke u siguruar që objektivat mbi shpenzimet dhe të ardhurat, si dhe objektivi mbi deficitin të arrihen. Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të përforcojë konsolidimin fiskal duke përmirësuar kornizën fiskale, në veçanti të forcohet plani i buxhetit në afatmesëm duke fuqizuar Parlamentin që të vendosë tavanin e detyrueshëm 3-vjeçar dhe të tregojë qartë se, cilat fonde janë përmbushur në mënyrë efektive dhe cilat janë shpenzimet e reja nën tavan dhe gjithashtu të adoptojë ligjet fiskale që sigurojnë qëndrueshmërinë e borxhit dhe transparencën. BE i kërkon qeverisë të vazhdojë të adresojë rreziqet ndaj qëndrueshmërisë financiare dhe të ekonomisë reale duke ndjekur një plan veprimi të kredive të këqija, që është një strategji afatmesme për promovimin e përdorimit të monedhës vendase në sistemin financiar. Në këtë proces, politika e Bankës së Shqipërisë mund të qëndrojë lehtësuese për sa kohë udha e konsolidimit fiskal mbetet e favorshme, por rreziqet e lidhura me vazhdimin e politikave lehtësuese duhet të vlerësohen me kujdes. Gjithashtu, kërkohet zbatimi i plotë i detyrimeve nën Traktatin e Komunitetit të Energjisë, në veçanti të liberalizimit të aktiviteteve transmetuese dhe shpërndarëse në sektorët e energjetikës dhe gazit, në mënyrë që të përmirësohet siguria energjetike dhe të lejojë që të hyjnë në treg operatorë të pavarur. Më tej, BE kërkon një fuqizim më të madh të kapaciteteve administrative në drejtim të regjistrimit të pronave dhe në implementimin brenda 2019 të kadastrës fiskale. Gjithashtu, implementimi i procedurave elektronike në dhënien e lejeve të ndërtimit do të implementohet në realitet në mënyrë që të reduktohen barrierat administrative për investimet. Më tej BE kërkon më shumë vëmendje nga autoritetet shqiptare për reforma në tregun e punës dhe sidomos uljes së papunësisë ndër të rinjtë.