Rama flet marrëveshje: Tenderat i kam për vete

Ramës i qëndron mendja tek tenderat. Edhe pse ka lëshuar gjysmën e qeverisë, ai ka folur publikisht jo më shumë për marrëveshjen që synon të garantojë zgjedhje të lira, por për tenderat që ai nuk ja ka dhënë pjesës tjetër të kabinetit që do të jetë nga ditët e ardhshme. Sipas Ramës, ministrat e rinj të qeverisë nuk do të kenë të drejtën e tenderave. Kush ja kërkoi Ramës këtë të drejtë? Askush. PD nuk ka pranuar të jetë pjesë e qeverisë për tenderat, por për të bllokuar të gjitha aferat korruptive të Ramës me tenderat si dhe për të bërë transparencë të plotë për çdo lëvizje të parave të korrupsionit.
Kryeministri Rama ka konsumuar dje replikën e parë me Bashën që prej ditës së marrëveshjes mes tyre për qeverinë më teknike dhe zgjedhjet. Duke folur në Korçë, ai tha se ne nuk kemi bërë sakrificë dhe qeveria nuk është rrëzuar.
“Edi Rama tha se siç thotë miku ynë i fundit, Lulzimi që thotë i kemi rrëzuar gjysmën e qeverisë. Ne kemi bërë gjënë e duhur dhe asnjë sakrificë. Peleshi nuk ka bërë sakrificë se nuk do të qëndrojë gjithmonë zëvëndëskryeministër. Ne kemi bërë diçka për votuesit e PD, edhe pse disa nuk më shohin dot me sy, dhe kanë të drejtë për këtë. Ne shmangëm një krizë, një situatë ku mund të shkojë keq e më keq, ose një fazë të re ku do kalojmë. Faza e re është që ne u kemi dhënë atyre provën, se kur ne themi se mbi gjithçka vëmë Shqipërinë e kemi me të vërtetë”, tha Rama.
Rama ka shpjeguar se pse nuk shtyu datën e zgjedhjeve. “Po si mund të jetë ligji ndryshe për ne dhe ndryshe për ju. Ne ta ndryshojmë kur na duhet, por për ju nuk duhet ndryshuar”, tha Rama.
Në vijim, Rama tha se ministrat që janë vetëm për fushatën nuk do të bëjnë emërime, deklarim që u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit.
“Qeveria me teknikë nuk ka lidhje me tenderat etj. Opozita nuk kishte besim tek zgjedhjet. Atëherë ne i thamë ku keni dyshime. Merrni sa të doni. Ministrat teknikë nuk do bëjnë tendera, as emërime, as celebrime, por do të garantojnë mospërdorimin e pushtetit në zgjedhje”, tha Rama. Në vijim, ai tha se PS duhet të marrë 71 vota, duke shpallur hapur nevojën që ai ka për t’u shkëputur nga LSI.