Pse sauditët kanë nevojë tani për Shtetet e Bashkuara

Corriere della Sera

“Një diskutim shumë i rëndësishëm ai i Donald Trump në Riad. Për të, që kërkon të bindë amerikanët dhe elektoratin e tij se është një burrështetas i besueshëm, pavarësisht të gjitha skandaleve që e dobësojnë. Por sidomos për shtëpinë mbretërore saudite, që sot më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetjen e aleatit të vjetër amerikan për t’u rilegjitimuar përballë shtetasve të vet”. Kështu Gilles Kepel komenton në të nxehtë pamjet që vijnë nga Riadi. Politologu i famshëm francez e njeh mirë Arabinë Saudite, ku prej kohësh bashkëpunon me institute të ndryshme hulumtuese. Biseda është bërë mbrëmë në telefon, sapo kishte ardhur në Paris pas 12 ditësh të kaluara në Uashington për një seri takimesh të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe pranë Departamentit të Shtetit. Tonet më të forta të diskutimit kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit.

– Janë efikasë?
“Sigurisht dhe kanë të bëjnë me të gjithë botën perëndimore. Ne europianët jemi në vijë të parë, kemi nevojë për bashkëpunimin e plotë të qeverive arabe për ta mundur ekstremizmin xhihadist edhe në shtëpinë tonë. Por në këtë moment është pikërisht Princi i ri Mohammed bin Salman, ministër i Mbrojtjes dhe i emëruar nga i ati në drejtimin e mbretërisë, që ka më shumë se kurrë nevojë për amerikanët”.

– Në çfarë kuptimi?
“Vendi jeton një sfidë ekzistenciale. Duhet të rinovohet, të emancipohet nga struktura tradicionale ekonomike e bazuar mbi naftën. Sistemet e reja të nxjerrjes së derivative nga fracking e ulin në mënyrë të pandalshme çmimin e naftës dhe sauditët duhet të ndryshojnë welfare state e tyre. Kanë edhe një problem akoma më të rëndë. Deri më tani korrenti i mendimit që legjitimonte pushtetin ishte i mbështetur mbi ideologjinë e lashtë wahabite, mbi ekstremizmin islamik religjioz, që në format më fondamentaliste të tij të çon tek Al-Qaeda dhe tek ISIS. Princi Salman ka zgjedhur që ta modernizojë vendin, dëshiron ta emancipojë nga wahabitët dhe salafitët, domethënë nga kleri konservator islamik. Për ta bërë një gjë të tillë, për t’u rilegjitimuar në laicitetin modern, ka nevojë për suksese ekonomike alternative. Duhet t’u demonstrojë qytetarëve të vet se me të vendi mund të ndryshojë dhe në të njëjtën kohë të qëndrojë në këmbë. Një detyrë jashtëzakonisht e madhe, që ka nevojë për bashkëpunimin e plotë amerikan”.

– Trump zgjedh botën sunite, i së cilës sauditët do të donin të ishin zëdhënësi: është një lëvizje kundër Iranit shiit?
“Për momentin, po. Dhe është interesante që kjo ndodh pikërisht teksa në Teheran zgjedhjet janë fituar nga të moderuarit e interesuar për dialogun me Perëndimin. E akuzuar për lidhje të dyshimta me Rusinë e Putinit, aleate me Iranin në Siri, për administratën Trump është edhe një mënyrë për të demonstruar se në fakt ndjek politika alternative me ato të Moskës. Megjithatë, nuk mungojnë të panjohurat, midis të cilave ajo e forcimit të krahëve ekstremistë të klerit iranian. Kështu ndodhi pas atentateve të 11 shtatorit 2001. Atëherë George W. Bush, me diskutimin e tij të famshëm të “Aksit të së keqes” e lidhi Iranin me vendet terroriste, duke e dobësuar të moderuarin Khatami dhe duke forcuar ekstremistin Ahmadinejad, që më pas e zëvendësoi në presidencë më 2005. Njëjtë, Trump sot mund ta dobësojë Rouhani”.

– Atëherë? Cili është thelbi i qëndrimit amerikan kundrejt Iranit?
“Sapo e kam sqaruar në takimet e mia në Uashington: amerikanët janë bindur se ekonomia iraniane është në grahmat e fundit. Sipas tyre, vendi duhet të jetë në pragun e revoltës. Një e katërta e popullsisë është e papunë. Rritet zemërimi për miliardat e shpenzuara nga regjimi në Siri dhe Irak në kurriz të mirëqenies së brendshme. Kështu që nuk mund të rezistojnë, nuk mund të ndjekin që ta financojnë në këtë mënyrë regjimin e Al-Assad dhe milicitë shiite aleatë të tyre në Irak”.

– Por Trump është i gatshëm që të prishet me Iranin, ta paragjykojë marrëveshjen kundër proliferimit bërthamor të negociuar nga Obama?
“Jo, nuk e mendoj. Trump nuk do që të shkojë kaq larg. Thënë më thjesht, beson se mund ta shfrytëzojë në avantazhin e vet dobësinë ekstreme ekonomike iraniane. Mendon se të vënë nën presion, edhe shumë të ashpër, në fund iranianët do të jenë të gatshëm të rivlerësojnë politikat e tyre rajonale. Fundi është ai i reduktimit të ekspansionizmit iranian që është rritur nga koha e pushtimit amerikan të Irakut më 2003”.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA