Pronarët: Rama po na shpronëson për së dyti, vendimet e qeverisë në Strasburg

Shoqata kombëtare “Pronësi me Drejtësi” do të ankimojë në Gjykatën e Strasburgut 1667 vendimet e Agjencisë për Rivlerësimin e Pronave. Ajo e ka cilësuar si një shpronësim të dytë atë që po ndodh me kompensimin, ku shumë pronarë po humbasin hektarë toke dhe vlera monetare. Ish-pronarët për të disatën herë kundështojnë zbatimin e Ligjit 133 të vitit 2015 për kompensimin e subjekteve të shpronësuar. Vlerësimi i pronave përmes këtij ligji nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për ish-pronarët është një shpronësim i dytë pas 72 vjetësh prej 1945. Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, do t’i drejtohet Gjykatës të të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të kundërshtuar rivlerësimin e pasurive të bëra për mbi 2 mijë pronarë. Në zbatim të Ligjit 133 të vitit 2015, ATP ka publikuar faturën financiare për 1667 subjekte, të cilat rezultojnë se u është llogaritur vlera me zërin katastral të momentit të shpronësimit, dhe si pasojë kanë marrë një vlerë më të ulët përfitimi. Në këtë situatë, Shoqata kombëtare “Pronësi me Drejtësi” fton subjektet të ankimojnë procesin për të fituar të drejtën e tyre në Gjykatën Administrative të Apelit. Duke e cilësuar rillogaritjen një shpronësim të dytë, pas Kushtetutës së vitit 1976, shoqata deklaron se pronarëve po u vidhen pronat dhe po u shkaktohet një dëm i madh ekonomik. Sipas tyre 472 vendime të viteve 1993-1994 duhet të kompensoheshin me një sipërfaqe prej 118 ha ose të vlerësoheshin me 12.9 mld lekë të reja. Por pas rivlerësimit të agjencisë në dispozicion të tyre u dhanë vetëm 4.4 ha tokë dhe si pasojë cilësohen të ezauruar për shkak se kanë përfituar kompensime të mëparshme. Ndërsa për 1667 subjekte pronarë, të cilëve rivlerësimi u është bërë me zërin e vjetër kadastral, nga shteti u janë vjedhur 19.2 mld lekë të reja. Sipas Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” këtyre subjekte u takonin 426.4 hektarë truall të njohur me vendime, por sipas ligjit të ri ATP ka bërë vlerësimin financiar dhe rezulton se do të kompensohen me 91.8 ha tokë truall dhe diferenca është vlerësuar si tokë bujqësore. Për 1863 vendime që nuk kishin vlerësimin financiar, ATP ka bërë klasifikimin e tyre si dosje me mangësi dhe pronarët e tyre brenda 30 nëntorit të vitit të shkuar duhet të dorëzonin dokumentet hartografike që të vërtetojnë në agjenci se toka e tyre ishte truall para sekuestrimit, në të kundërt ato do të vlerësoheshin si tokë bujqësore me vlerë minimale dhe duke i konsideruar edhe të ezauruara si kompensime. Nisur nga këto rrethana në një deklaratë për mediat, Pronësi me Drejtësi deklaron se do të ndërmarrë një tjetër nismë, duke iu drejtuar institucioneve ndërkombëtare.