Pikiata e euros nga droga nuk ndalet

Euro vazhdon të zhvlerësohet në tregun vendas, ku sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro këmbehej dje me 134.6 lekë, 0.08 lekë më pak se dy ditë më parë. Megjithëse data për pagesën e sigurimeve kaloi (faktor që ndikon së fundmi në zhvlerësimin e monedhës së përbashkët) euro ka vijuar të zhvlerësohet në vend.
Sipas aktorëve të tregut është oferta e madhe në valutë dhe kërkesa e ulët që kanë ndikuar në zhvlerësimin e saj.
Zhvlerësim në tregun vendas ka pësuar edhe dollari amerikan, i cili ka rënë poshtë nivelit të 120 lekëve të këmbimit.
Si rrjedhojë, zhvlerësimi i euros i favorizon të gjithë shqiptarët që duan të pushojnë jashtë vendit në Europë. Nëse një vit më parë, kursi mesatar i këmbimit ishte 138.5 lekë për një euro, tashmë ai ka zbritur në 134.5-135 lekë, apo rreth 3-4% më lirë. Për shembull, për një paketë çift që llogaritet të kushtojë rreth 1500 euro, këtë vit duhen rreth 202 mijë lekë, ndërsa një vit më parë duheshin rreth 208 mijë lekë, pra rreth 6 mijë lekë më shumë. Për një paketë 2000 euro, kursimi është rreth 7 mijë lekë. Ndërsa një familje që harxhon rreth 3000 euro do të kursejë 10 mijë lekë në raport me vitin e mëparshëm.
Ndërkohë në tregjet ndërkombëtare, monedha e përbashkët ka njohur nivele të larta të këmbimit përkundrejt monedhës së gjelbër.
Pas takimit të kancelares gjermane Merkel me presidentin e sapozgjedhur të Francës, Emmanuel Macron, monedha e përbashkët është vlerësuar në tregjet ndërkombëtare duke arritur nivele të larta të këmbimit përkundrejt dollarit. Gjermania dhe Franca u zotuan për të thelluar bashkëpunimin në monedhën e përbashkët dhe të kapnin mundësitë  nga dalja e Britanisë nga BE-ja për të forcuar industrinë e tyre bankare. Në bursa një euro këmbehej me 1.125 dollarë.